Ballina Sport Vdes Fleury Di Nallo, legjenda e Lyonit që i shënoi edhe Brazilit...

Vdes Fleury Di Nallo, legjenda e Lyonit që i shënoi edhe Brazilit të Pelés

53
0

Futbolli francez është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të Fleury Di Nallo, një prej figurave më ikonike në historinë e Olympique Lyon. Ish-sulmuesi franko-italian u kujtua menjëherë nga tifozët dhe mediat sportive si një nga lojtarët më të mëdhenj që e ka veshur fanellën e klubit francez.

I lindur në Lyon në vitin 1943, Di Nallo e kaloi pjesën më të madhe të karrierës te Olympique Lyonnais, ku luajti nga viti 1960 deri më 1974. Gjatë kësaj periudhe ai i zhvilloi afro 500 ndeshje dhe i realizoi 222 gola, duke mbetur golashënuesi më i mirë në historinë e klubit francez.

Për shkak të talentit dhe lidhjes së veçantë me tifozët, ai e mori nofkën legjendare “Princi i vogël i Gerland”. Di Nallo ishte një nga sulmuesit më të spikatur të futbollit francez në vitet ’60 dhe ’70. Ai i fitoi tri Kupa të Francës me Lyonin dhe u bë simbol i një prej periudhave më të rëndësishme në historinë e klubit.

Një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij ishte ndeshja miqësore kundër Brazilit në vitin 1963, ku Di Nallo arriti të shënonte ndaj kombëtares së famshme braziliane të udhëhequr nga Pelé. Fotot e asaj kohe, ku ai shihet pranë legjendës braziliane, janë rikthyer sërish në qarkullim pas lajmit për vdekjen e tij.

Me kombëtaren e Francës, Di Nallo i regjistroi 10 paraqitje dhe i realizoi 8 gola mes viteve 1962 dhe 1971. Debutimi i tij ndërkombëtar ishte mbresëlënës, pasi i shënoi dy gola ndaj Hungarisë në ndeshjen e parë me “Les Bleus”. Pas largimit nga Lyoni, ai luajti edhe për Red Star dhe Montpellier, përpara se të tërhiqej nga futbolli profesionist në fund të viteve ’70. Më pas mbeti i lidhur me futbollin francez si trajner dhe këshilltar sportiv në klube të ndryshme lokale.

Olympique Lyon reagoi me një mesazh emocional për humbjen e legjendës së klubit, duke e cilësuar Di Nallon si “një simbol të përjetshëm të historisë së Lyonit”. Në rrjetet sociale, ish-futbollistë, tifozë dhe figura të futbollit francez kanë publikuar homazhe për ish-sulmuesin legjendar..