Ballina Aktualitet Para të dyshimta, 18-vjeçarja bleu vilë 1.5 milionë euro në bregdet, fondet...

Para të dyshimta, 18-vjeçarja bleu vilë 1.5 milionë euro në bregdet, fondet ia transferoi e motra

134
0

Dy shtetase me shtetësi shqiptare dhe kombësi të huaj rezultojnë të kenë investuar miliona euro në vila luksoze dhe vepra arti në Shqipëri, përmes transfertave të lidhura me juridiksione me lehtësira fiskale dhe aktivitete biznesi me risk të lartë. Ky rast përbën një tjetër skemë të dyshuar investimesh me burime fondesh ndërkombëtare.

Sipas raportit të AIF, gjatë vitit 2025 shtetaset A dhe B kanë kryer blerje të pasurive të paluajtshme dhe veprave të artit në Shqipëri me vlera të konsiderueshme, duke përdorur fonde të ardhura nga juridiksione dhe kompani të regjistruara në vende me lehtësira fiskale.

Një nga rastet e evidentuara lidhet me shtetasen A, vetëm 18 vjeç, e cila në shkurt 2025 bleu një vilë në bregdet me vlerë 1.5 milion euro. Sipas të dhënave të administruara nga AIF, financimi për këtë blerje është siguruar nga motra e saj, shtetasja B.

Raporti thekson se shtetasja B, 40 vjeç, rezidente në një vend me lehtësira fiskale të identifikuar si “X”, e ka financuar investimin përmes fondeve të ardhura nga një llogari bankare në një shtet të Afrikës Jugore, të konsideruar me risk të shtuar për korrupsion dhe ekonomi informale.

Më tej, gjatë vitit 2025, vetë shtetasja B bleu një tjetër vilë në bregdet me vlerë 1.7 milion euro, e financuar nga një llogari personale në një tjetër juridiksion me lehtësira fiskale, të identifikuar si “Z”.

Përveç investimeve në prona, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 shtetasja B rezulton të ketë investuar në Shqipëri edhe në blerjen e veprave të artit me vlerë rreth 700,000 euro.

Sipas raportit, shtetasja B është ortake e vetme e një biznesi të identifikuar si “B1”, që operon në sektorin e lojërave online në Seychelles. Kjo kompani rezulton e lidhur me një tjetër shoqëri, “B2”, të regjistruar në shtetin “Z”, me të njëjtën fushë aktiviteti.

AIF evidenton se të ardhurat e përfituara nga shpërndarja e dividendit kanë kaluar në llogarinë e shtetases B në vendin e rezidencës “X”, në vlera prej disa milionë eurosh, një pjesë e të cilave janë përdorur më pas për investimet në Shqipëri.

Për shkak se transfertat nuk janë kryer nga vendi ku shtetasja kishte rezidencën apo ku ushtronte aktivitetin kryesor të biznesit, Agjencia e Inteligjencës Financiare bashkëpunoi me njësitë homologe partnere ndërkombëtare.

Nga ky bashkëpunim rezultoi se aktiviteti i shoqërisë “B2” në shtetin “Z” ishte çregjistruar që në vitin 2023. Gjithashtu, autoritetet partnere informuan se shtetasi C, bashkëshorti i shtetases B, rezulton i përfshirë në aktivitete të paligjshme të lidhura me krimin e organizuar.

Raporti evidenton gjithashtu se shtetasja B, së bashku me disa persona nga vendi i saj i origjinës, kishte regjistruar në vitin 2019 shoqërinë “Y” me aktivitet në sektorin e hotelerisë, por në fillim të vitit 2025 ishte larguar nga kjo kompani, e cila sipas të dhënave rezultonte me fitime të ulëta.

Agjencia e Inteligjencës Financiare thekson se dyshimet kryesore lidhen me përdorimin e fondeve ndërkombëtare për blerje të pasurive të paluajtshme dhe veprave të artit me vlera të larta, burimin e fondeve nga aktivitete biznesi me risk të shtuar, përdorimin e kompanive të regjistruara në vende me lehtësira fiskale për fshehjen e origjinës së fondeve dhe lidhjet familjare me individë të përfshirë në aktivitete kriminale.

Sipas raportit, përfshirja e disa juridiksioneve të ndryshme në qarkullimin e fondeve, përfshirë vendin e rezidencës, vendin e origjinës së transfertave dhe shtetet ku operonin bizneset, ka rritur kompleksitetin e rastit dhe dyshimet për pastrim parash. Për këto arsye, rasti është referuar për hetime të mëtejshme pranë organeve të zbatimit të ligjit. /ekofin.al