Ballina Aktualitet Pas pacientëve shqiptarë, Ministria e Shëndetësisë përdor edhe të huajt për propagandën...

Pas pacientëve shqiptarë, Ministria e Shëndetësisë përdor edhe të huajt për propagandën e radhës

89
0

Pasi prej kohësh përdor dëshmitë e pacientëve shqiptarë për të promovuar punën e saj, Ministria e Shëndetësisë duket se nuk kursen tashmë as pacientët e huaj për propagandën e ditës.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, të shoqëruar edhe me video dhe dëshmi pacientësh, Ministria deklaron se “shëndetësia shqiptare po bëhet një adresë besimi edhe përtej kufijve”, duke pretenduar se 400 shtetas të huaj kanë marrë shërbim në QSUT gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Por nëse sistemi shëndetësor shqiptar ofron vërtet standardet e larta që pretendon Ministria, lind pyetja se përse është e nevojshme që pacientët, qofshin shqiptarë apo të huaj, të shndërrohen vazhdimisht në protagonistë të videove promovuese për të bindur qytetarët se sistemi funksionon.

Standardi i një sistemi shëndetësor nuk matet me intervistat e pacientëve të përzgjedhur përpara kamerave, por me shërbimin që qytetarët marrin çdo ditë kur paraqiten në dyert e spitaleve.

Mjafton që pacientët të mos përballen me mungesë barnash dhe shtretërish, me probleme infrastrukturore, pritje të gjata apo fenomene korruptive. Zgjidhja e këtyre problematikave do të ishte një dëshmi shumë më bindëse për gjendjen e shëndetësisë sesa çdo video propagandistike e publikuar në rrjetet sociale.

Trajtimi me profesionalizëm i një pacienti, shqiptar apo i huaj, nuk duhet të jetë ngjarje për t’u reklamuar, por standardi minimal që një sistem publik shëndetësor duhet të garantojë çdo ditë.

Në fund, besimi te shëndetësia nuk ndërtohet përpara kamerave. Ai fitohet në korridoret e spitaleve, aty ku qytetarët përballen çdo ditë me realitetin zhgënjyes të sistemit./vna