Ballina Editorial Rezoluta e “paqes”: Si përfundoi revolucioni i Berishës në telefonatën Balla-Bardhi

Rezoluta e “paqes”: Si përfundoi revolucioni i Berishës në telefonatën Balla-Bardhi

86
0

Nga Desada Metaj

Nese keni besuar se Sali Berisha e ka seriozisht revolucionin, sot eshte dita perfekte per të kuptuar se pas skenave me molotovë dhe retorikës për “narkoshtetin”, vazhdojnë bisedat mallëngjyese për integrimin europian dhe konsensusin parlamentar.

Të paktën këtë konfirmojnë të dy palët, të cilat mbrëmjen e kaluar kanë zhvilluar negociata të ethshme për rezolutën e përbashkët PS-PD. Madje, sipas burimeve parlamentare, ka pasur edhe një telefonatë tepër të përzemërt mes Gazment Bardhit dhe Taulant Ballës, në rolin e kryenegociatorëve të një rezolute… që në thelb është një fletë pa ndonjë vlerë reale politike apo juridike.

Në draftin që pritet të marrë votat e PS dhe PD në Kuvend thuhet ndër të tjera se palët angazhohen “të nxisin dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet europiane”, ndërsa mazhoranca zotohet se do të krijojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në jetën parlamentare dhe do të respektojë kërkesat e saj në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Por çfarë vlere ka realisht kjo rezolutë?

Në praktikë, përveç një deklarate vullneti për bashkëpunim dhe disa formulimeve diplomatike që tingëllojnë bukur në letër, dokumenti nuk sjell asgjë konkrete. Nuk ka asnjë ndryshim të qartë në Rregulloren e Kuvendit. Nuk ka asnjë garanci reale për kërkesat që opozita i ka shpallur prej muajsh si “vija të kuqe”. Nuk ka asnjë mekanizëm detyrues që ndryshon raportin mazhorancë-opozitë në Parlament.

Praktikisht, PD duket se ka siguruar disa vende pune dhe hapësira institucionale për njerëzit e saj, ndërsa PS do të marrë një tjetër “fletë lavdërimi” për klimën e bashkëpunimit dhe dialogut me opozitën në raportet për Brukselin.

Në fund, revolucioni me molotovë përfundoi në negociata korridoreve për një rezolutë që më shumë ngjan me një ngopje me lugë bosh sesa me një marrëveshje që ndryshon ndonjë gjë reale në politikën shqiptare.

Dhe ndoshta telefonata Bardhi-Balla është më shumë se sa një detaj procedural. Ndoshta është shenja e parë e një afrimi të ri për bashkëpunim në tema shumë më të nxehta politikisht, që nga reforma në drejtësi e deri te ndryshimet në Kodin Penal.