Ballina Politika AKSHI ose grabitja që ka emër

AKSHI ose grabitja që ka emër

67
0

Nga Luçiano Boçi

(Kopshti privat i Edi Ramës)

Në ndryshim nga Europa e ëndërruar ku institucionet i shërbejnë shtetit në Shqipëri, ndërtohen institucione për t’i shërbyer pushtetit. E akoma me keq pushtetit të një njeriu.
Dhe modeli më grotesk i këtij deformimi quhet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.AKSHI nuk është më një agjenci teknologjie. Ajo është kthyer në bankë, magazinë, server, kamerë, filtër, portë dhe kasafortë të qeverisë.

Një superstrukturë pa kontroll real, pa konkurrencë reale dhe me miliarda që qarkullojnë në errësirën e “modernizimit dixhital”.

Fjala “dixhitalizim” përdoret si parfum për të mbuluar erën e rëndë të centralizimit dhe klientelizmit.

Njerëzimi shpiku internetin për të shpërndarë informacionin. Rama AKSHI-n për ta përqendruar atë në duart e veta dhe “krimit kibernetik”. Një evolucion i çuditshëm teknologjik dhe politik.

Në emër të inovacionit, AKSHI ka gëlltitur tendera, databaza, sisteme, kontrata, mirëmbajtje, licenca dhe kompetenca që, në vende normale, do të ishin të shpërndara, të audituara dhe të kontrolluara nga institucione të pavarura.

Në Shqipëri ndodh e kundërta. Gjithçka kalon nga një dorë. Dhe kur gjithçka kalon nga një dorë, zakonisht fryhet më shumë portofoli i dikujt sesa vetë serverët e shtetit.

Fjalët e bukura si

“transformim dixhital”,“inteligjencë artificiale”,
“integrim sistemesh”,
“automatizim”, perdoren rëndom për të justifikuar skandalet.

Por realiteti mbetet banal. Qytetari shqiptar vazhdon të endet sportel më sportel, vetëm se tani e bën online dhe me nerva më moderne.

Gradualisht, AKSHI është kthyer në një instrument politik. Kontrollon informacionin, kontrollon aksesin, kontrollon procedurat, kontrollon tenderat dhe, dalëngadalë, po kontrollon vetë mënyrën se si funksionon administrata. Një shtet paralel i ndërtuar me kabllo, servera dhe kontrata sekrete.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e rëndësishme:

Kush e kontrollon AKSHI-n?

Sepse kur një institucion menaxhon miliarda lekë, sisteme kombëtare, të dhëna personale, prokurime teknologjike dhe infrastrukturë kritike, por nuk jep llogari reale para Parlamentit apo publikut, atëherë nuk kemi më shtet modern. Kemi oligarki dixhitale.

Sot, çdo ministër duket si figurant përballë AKSHI-t. Ministritë ndryshojnë. Drejtorët ikin. Portalet mbeten. Kontratat mbeten. Rrjeti mbetet. Dhe mbi të gjitha, mbetet hija politike e Edi Ramës, që këtë institucion e ka trajtuar si laborator privat pushteti e si pronë burimore miliardash korruptive.
Në vend që teknologjia të çlironte qytetarin nga burokracia, ajo po përdoret për ta futur më thellë në varësi nga sistemi.

Një klikim për dokumentin.
Një klikim për gjobën.
Një klikim për kontrollin.
Një klikim për propagandën.
Dhe çdo klikim kalon nga “kopshti privat” i pushtetit.

Problemi nuk është teknologjia. Problemi është se teknologjia, në duart e një pushteti pa kufij, shndërrohet në armë.
Dhe armët në Shqipëri rrallë përdoren për zhvillim.

Ato përdoren për kontroll, për para dhe për mbijetesë politike.
Prandaj AKSHI nuk është më simbol i modernizimit.
Është simboli i një shteti që po privatizohet nga brenda.