Në reagimin e saj, Zhupa shkruan se arrestimi i shefit të komisariatit dhe disa efektivëve të policisë në Sarandë është një hap që duhet vlerësuar, veçanërisht në një kohë kur prej më shumë se një viti ka denoncuar situatën e rëndë të kriminalitetit në qytet.
Ajo kujton gjithashtu se edhe raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend e ka evidentuar Sarandën si një nga qytetet me nivel të lartë kriminaliteti në vend.
Megjithatë, Zhupa thekson se këto arrestime nuk duhet të mbeten një “show statistikor”, por duhet të shërbejnë si nisje e një hetimi të thelluar mbi atë që ajo e cilëson si një skemë të strukturuar kriminale në qytet.
Sipas saj, ndërtimet pa leje në Sarandë nuk kanë ndodhur në mënyrë të fshehtë, por në sy të institucioneve përgjegjëse për kontrollin e territorit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e tyre.
Postimi i plotë:
Saranda si shembull i një grupi të struktuar kriminal zyrtarësh. Të hetohen lidhjet me zyrtarët e policisë bashkiake dhe IMT Sarandë.
Arrestimi i shefit të komisariatit dhe efektivëve të policisë të Sarandës është një hap që duhet vlerësuar, sidomos në një kohë kur prej më shumë se një viti kam denoncuar gjendjen e rëndë të kriminalitetit në qytet. Vetë raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend e evidentonte Sarandën si qytetin me nivelin më të rëndë të kriminalitetit në vend.
Por këto arrestime nuk duhet të mbeten një show statistikor. Ato duhet të jenë fillimi i një hetimi të thellë për gjithë skemën e ngritur në Sarandë si grup i strukturuar kriminal.
Ndërtimet pa leje nuk kanë ndodhur në fshehtësi. Ato janë ngritur në mes të ditës, për muaj me radhë, para syve të të gjitha institucioneve që kanë detyrë ligjore monitorimin e territorit. Këtë çështje e kam evidentuar dhe kur nisën shëmbjet në Ksamil.
Këtu lindin disa pyetje të forta:
A mund të funksiononte e vetme policia e shtetit në këtë skemë? Kur nuk ishte e vetmja qe kishte përgjegjësi monitorimin e territorit!
A është e besueshme që policia bashkiake të mos shihte ndërtimet pa leje që shtoheshin çdo ditë?
A nuk ka ajo përgjegjësi direkte për kontrollin e territorit dhe evidentimin e shkeljeve?
Po IMT-ja e Sarandës ku ka qënë? Si është e mundur që të mos konstatohej kjo masakër urbane në kohë reale?
Kur disa institucione heshtin njëkohësisht përballë të njëjtit fenomen, dyshimi është se nuk kemi të bëjmë me dështime individuale, por me një mekanizëm të koordinuar korrupsioni.
Gjasat janë që kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, ku segmente të policisë së shtetit, IMT-së dhe strukturave të bashkisë kanë mbyllur sytë kundrejt ryshfetit dhe përfitimeve korruptive.
Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë jo vetëm efektivët e policisë, por edhe përgjegjësinë e bashkisë dhe institucioneve të saj. Hetimi duhet të shkojë deri te çdo zyrtar që ka bashkëpunuar, ka toleruar apo ka përfituar nga kjo skemë kriminale







