Një muaj pasi në media qarkulloi lajmi se kreu i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi është i infektuar me SIDA, Struktura e Antiterrorit nga Tirana mësohet se ka mbërritur prej disa ditësh në Gjirokastër, teksa po bën verifikime për këtë rast.
Bëhet fjalë për hetime që lidhen me publikime të bëra në rrjete sociale nga Emin Kokalari, ku pretendohej se në Bashkinë e Gjirokastrës kishte disa raste me infektime me HIV-AIDS dhe se edhe kryebashkiaku Flamur Golemi ishte i prekur.
Antiterrori ka marrë në pyetje disa persona, me qëllim identifikimin e origjinës së informacionit dhe mënyrës së përhapjes së tij në publik, pasi ky lajm ka krijuar panik në gjithë qytetin e gurtë të Gjirokastrës.
Ndërsa ende Autoritetet nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare përfundimtare mbi ecurinë e procedimit.
Kujtojmë që Bashkia e Gjirokastrës ka kallëzuar në polici shtetasin Emin Kokalari, pasi e akuzon se ka përhapur lajmin e rremë se kryebashkiaku Flamur Golemi dhe 18 punonjës janë infektuar me sëmundjen e rrezikshme SIDA.
Përmes avokatit Arben Llangozi, në një padi prej 30 faqesh, Bashkia e akuzon Kokalarin për përhapje të panikut në qytetin e Gjirokastrës. Sipas avokatit, personat që kanë përhapur lajmin, duke përhapur panik, duhet të vihen përballë drejtësisë.







