Ballina Politika Negociatat/ Ngërç për Shqipërinë në BE, tre vende kundër raportit IBAR, përplasen...

Negociatat/ Ngërç për Shqipërinë në BE, tre vende kundër raportit IBAR, përplasen për ‘Themeloret’

32
0

Sipas burimeve në Bruksel, tre shtete anëtare nuk kanë dhënë ende miratimin për Raportin e Vlerësimit të Kritereve të Përkohshme (IBAR) për Grupkapitullin 1 “Themeloret”, duke shtyrë arritjen e një qëndrimi të përbashkët për mbylljen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë.

Agjencia e lajmeve DTT-NET, që fokusohet kryesisht te zhvillimet politike, ekonomike dhe diplomatike në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian, thekson se 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë ende në diskutime lidhur me ecurinë e reformave nga institucionet shqiptare, përpara se të arrihet një qëndrim i përbashkët për nisjen e mbylljes së kapitujve të parë në negociatat e anëtarësimit, pasi të 33 kapitujt u hapën në nëntor të vitit të kaluar.

Por në mbledhjen e sotme të përfaqësuesve të tyre në Grupin e Punës për Zgjerimin dhe Vendet që negociojnë anëtarësimin në BE (COELA), “tre shtete anëtare nuk mundën ende të japin dritën jeshile”, sipas burimeve të një shteti anëtar në Bruksel.

Diskutimet po zhvillohen mbi Raportin e Vlerësimit të Kritereve të Përkohshme (IBAR) për Grupkapitullin 1 të negociatave, të quajtur “Themeloret”.

Me problem për anëtarësimin :

Kapitulli 5 (Prokurimi Publik); Kapitulli 18 (Statistikat); Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore); Kapitulli 24 (Drejtësia, liria dhe siguria) dhe Kapitulli 32 (Kontrolli Financiar).

Burimet nuk dhanë detaje të mëtejshme, mbi emrat e vendeve dhe mosmarrëveshjet e sakta mbi gjendjen aktuale të reformave në pesë kapituj negociues, por thanë se 27 përfaqësuesit e shteteve anëtare nga grupi COELA do të takohen përsëri të premten (22 maj) për bisedime të mëtejshme.

Një tjetër burim konfirmoi mosmarrëveshjet dhe mungesën e dritës së gjelbër nga krejt vendete anëtare të BE-së tash për tash.

“Jo, jo ende, COELA nuk ka rënë dakord ende në këtë fazë. Vetëm pas marrëveshjes, dosja shkon te ambasadorët…”, tha burimi i dytë, duke i referuar me fjalën ‘ambasadorët” grupit më të lartë të njohur si COREPER.

Pesë kapitujt negociues të Grupit 1 janë të lidhur me gjendjen aktuale në sistemin gjyqësor të vendit, dhe diskutimet nga shtetet e BE-se po ndodhin në kohën kur tensionet e mëdha midis opozitës dhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama po vazhdojnë.

Përveç akuzave për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, përvetësim të fondeve shtetërore dhe mashtrim zgjedhor, opozita akuzon gjithashtu Ramën për mbrojtjen e të të akuzuarës nga prokuroria speciale kundër krimit të organizuar(shqip-SPAK) ish-Zëvendëskryeministres dhe ish- Ministres së Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, për shkelje të dyshuara në dy tendera në sektorin e ndërtimit dhe hetime në vazhdim e sipër për disa të tjerë.

Pas presionit të fortë nga opozita dhe kritikave nga organet e BE-së dhe disa anëtarëve të Parlamentit Europian (PE), Rama pranoi ta shkarkonte Ballukun nga detyra këtë vit, por kryeministri ende refuzon që të përmbushë kërkesën e prokurorisë speciale për të hequr imunitetin e saj parlamentar të nevojshëm për arrestimin e saj.