Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e regjistruar këtë pasdite në Mamurras, ku një 23-vjeçar, i kërkuar nga autoritetet italiane është plagosur nga policia në një shkëmbim me armë zjarri. Së bashku me 23-vjeçarin Leonard Dema, në makinë së bashku me të ishte dhe Amadeo Fufi, ku siç mësohet është, djali i Mhill Fufi, drejtori i Transportit Rrugor në Qarkun e Lezhës, i emëruar nga Edi Rama. Fufi ishte së bashku në makinë me Demën dhe mbante me vete një armë, të cilën ia ka drejtuar policisë.
Ai është arrestuar nga forcat operacionale, ndërsa Leonard Dema ndodhet momentalisht në spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni të zhvilluar këtë të martë nga policia, në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, objektiv i operacionit ishte kapja e Leonard Demës, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje. Policia kishte siguruar informacion mbi vendndodhjen e tij dhe ndërhyri në një karburant në aksin Mamurras–Laç për ta arrestuar. Por, në momentin që ka vënë re praninë e efektivëve, i riu dyshohet se ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke rrezikuar jetën e tyre.
Sipas autoriteteve, edhe personi që e shoqëronte, shtetasi Amadeo Fufi, 28 vjeç, ka nxjerrë armë zjarri dhe ua ka drejtuar efektivëve të policisë. Në kushtet e vetëmbrojtjes, sipas njoftimit, shërbimet e policisë kanë qëlluar, duke plagosur Leonard Demën. Ai është transportuar në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, 28-vjeçari Amadeo Fufi është arrestuar nga policia, ndërsa gjatë kontrollit i është sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë që ai posedonte.







