Policia ka arrestuar biznesmenin shkodran Prekë Gjoni, i cili akuzohet se ka dhunuar fizikisht gazetarin Ervin Dushi.
Biznesmeni Gjoni është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Shkdorës pasi akuzohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Ndonëse në dëshminë e tij të dhënë për mediat, Gjoni mohoi dhunimin e gazetarit, hetimet kanë nxjerrë në pah se biznesmeni ka goditur gazetarin për shkak të detyrës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. Gj., 51 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 46 vjeç, gazetar, për shkak të detyrës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Dhunoi fizikisht një 46-vjeçar (gazetar), për shkak të detyrës, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. Gj., 51 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 46 vjeç, gazetar, për shkak të detyrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Në një lidhje telefonike për News24, biznesmeni pretendoi dje se gazetari është rrëzuar vetë ndërsa mohoi se ai ka gisht në dhunimin e tij, duke u shprehur se nëse ka prova se ai e ka dhunuar, është i gatshëm të bëjë 100 vite burg.
Pronari i “Xhedis” ka pretenduar se gazetari Dushi e ka shantazhuar për produkte të skaduara që sipas tij nuk është e vërtetë sepse marketet e tij nuk mbajnë produkte të tilla. Në lidhje me shantazhimet e marra nga gazetari ai tha më tej se ka njoftuar dhe AKU-në.
“Kam shumë gjëra për të treguar. Ky Ervini, ka 24 orë që më ka shantazhuar në rrjetet sociale, rrjetin e supermarketeve. Ai ka kërkuar të takojë një kushëririn tim ku fliste për gjëra të skaduara që helmonin qytetarët. Ne nuk e dimë se çfarë flet ai, se ne jemi të ndershëm. Unë që dje e kam njoftuar policinë, se nuk ishte normale kjo që bënte. Kam njoftuar dhe AKU-në, që po më shantazhon ky person dhe se nuk është çështje ushqimesh të skaduara” u shpreh Gjoni.
Duke i mëshuar sërish faktit se ai as nuk e ka prekur me dorë gazetarin, Prek Gjoni thotë se ai është takuar me të, duke shtuar se vetëm e ka shtyrë dhe jo se e ka goditur.
Ndërsa, gazetari ka deklaruar se gjatë takimit është përballur me një sulm të papritur, ku tre persona e kanë goditur në mënyrë të pamëshirshme.
Ai është shprehur se konflikti dhe dhuna ndaj tij kanë ardhur si pasojë e një denoncimi të mëparshëm që ai ka bërë në mbështetje të një punonjëseje të një prej marketeve të administruara nga Gjoni, e cila, sipas tij, kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin.
“Jam takuar me pronarin e marketeve Xhedis në Shkodër dhe pretendim i ishte se kishte kërkuar numrin tim personal avokati i tij pasi pak kohë më parë në një rrjet social kam publikuar disa video dhe i kanë marrë media të ndryshme ku ai kërcënonte një qytetar. Dhe avokati i tij kishte kërkuar takim me mua për të diskutuar çfarë faktesh kemi me këtë U paraqita në një mënyrë miqësore, pasi pak kohë më parë kam pirë dhe një kafe me zotërinë, u paraqita i pambrojtur, nuk prisja goditje. Por ky ishte rezultati i takimit.
Pra Xhoni ishte vet i katërti, ku tre nga ata më dhunuan, kurse njëri u ndihmua të më ndihmonte. Tre ata më kanë goditur në mënyrë të pamëshirshme. Goditja më ka ardhur si pasojë e punës time si gazetar”, tha ai.







