Ballina Politika Reforma territoriale/ Opozita merr shembull Bashkinë Shijak, Luçiano Boçi: Shijaku i shërben...

Reforma territoriale/ Opozita merr shembull Bashkinë Shijak, Luçiano Boçi: Shijaku i shërben qytetarit më mirë se Bashkia Durrës. Sako nuk gjen dot inxhinier në një qytet universitar

57
0

Deputeti dhe nënkryetari i PD Luçiano Boçi ka postuar në faqen e tij në facebook detaje nga dëgjesa publike mbi reformën administrativo-territoriale në Durrës.

“Ajo çfarë kërkojmë ne është e thjeshtë: ta afrojmë shërbimin te qytetari, jo ta largojmë qytetarin nga shërbimi”, shkruan Boçi.

Mesazhi:

Nga dëgjesa publike mbi reformën administrativo-territoriale në Durrës. Dhe Durrësi kishte shumë për të thënë.

35 mijë banorë më pak në 12 vjet. Nuk shkuan në Tiranë, nuk shkuan në Shkodër. Ikën nga Shqipëria. Nga Manza, nga Sukthi, nga Ishmi. Ky është bilanci i një reforme që u quajt sukses.

30% e buxhetit të bashkisë shkon vetëm për mbetje, pa asnjë riciklim, pa asnjë seleksionim. Kryetarja e bashkisë nuk gjen dot inxhinier në një qytet universitar. Dhe Shijaku me 32 mijë banorë i shërben qytetarit më mirë se Durrësi me 150 mijë. Çfarë tregon kjo? Që madhësia e bashkisë nuk është garanci për asgjë.

Evropa kërkon 60 minuta distancë maksimale mes qytetarit dhe shërbimit urban. Kroacia ka 556 njësi vendore dhe ka marrë miliarda euro nga fondet evropiane. Polonia, Estonia, Letonia kanë mesatarisht 6 mijë banorë për njësi vendore. Ne kemi bashki me 75 mijë.

Bashkia e madhe nuk është zgjidhja. Zgjidhja është bashkia e afërt, me kompetenca reale, me autonomi financiare dhe me një territor që i përgjigjet njeriut, jo politikës.

Ajo çfarë kërkojmë ne është e thjeshtë: ta afrojmë shërbimin te qytetari, jo ta largojmë qytetarin nga shërbimi.