Ballina Rajoni Komisionerja Marta Kos apel vendeve të Ballkanit Perëndimor: Askush nuk hyn në...

Komisionerja Marta Kos apel vendeve të Ballkanit Perëndimor: Askush nuk hyn në BE pa vendosmëri dhe unitet kombëtar

66
0

Mesazhi i Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, nga Podgorica nuk ishte vetëm për Malin e Zi, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, ku përfshihet edhe Shqipëria e cila synon anëtarësimin në vitin 2030..

Në ceremoninë për 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi, Kos deklaroi se asnjë shtet nuk arrin të bëhet pjesë e Bashkimit Europian pa reforma të forta, vendosmëri politike dhe unitet kombëtar.

“Askush nuk arrin në këtë fazë të procesit të zgjerimit pa përpjekje të jashtëzakonshme dhe askush nuk bëhet anëtar i Bashkimit Europian pa një vendosmëri dhe unitet kombëtar edhe më të madh në pjesën finale të këtij rrugëtimi”, deklaroi Komisionerja Europiane.

Ajo konfirmoi se Bashkimi Europian ka nisur hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë të progresit të bërë nga Podgorica në rrugën drejt BE-së.

“Njëzet vite më parë, ju vendosët të shkruanit një kapitull të ri në historinë e gjatë të shtetësisë së Malit të Zi. Europa sheh atë që keni ndërtuar. Europa sheh arritjet tuaja. Së shpejti, edhe ju do të kontribuoni në historinë e Bashkimit Europian. Kapitujt e ardhshëm të historisë sonë të përbashkët do të shkruhen së bashku. Vendi i Malit të Zi në Bashkimin Europian tani po merr formë. Hartimi i Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi ka nisur tashmë. Ky është një vlerësim i qartë për progresin tuaj, por edhe një nxitje për të përshpejtuar reformat që kanë mbetur për të përfunduar rrugëtimin tuaj”, tha Kos..

Komisionerja theksoi se Bashkimi Europian nuk dobëson shtetet anëtare, por i bën ato më të forta përballë sfidave globale.

“Bashkimi Europian nuk e zëvendëson shtetësinë. Përkundrazi, ai forcon aftësinë e shteteve tona për të mbrojtur qytetarët, për të mbrojtur liritë e tyre dhe për të krijuar prosperitet në një botë ku asnjë vend europian nuk mund t’i përballojë i vetëm forcat që e rrethojnë – as shtetet tona më të mëdha anëtare. Kjo është arsyeja pse ne e dimë shumë mirë, sidomos shtetet e vogla: së bashku jemi më të fortë. Më të fortë në mbrojtjen e demokracisë. Më të fortë në mbrojtjen e sigurisë sonë. Më të fortë në krijimin e mundësive ekonomike. Më të fortë në ruajtjen e vlerave tona dhe mënyrës sonë të jetesës në një botë gjithnjë e më shumë të formësuar nga fuqitë e mëdha”, deklaroi ajo.

Kos shtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe se një Europë e bashkuar mund të ndihmojë rajonin të lërë pas plagët e së shkuarës.

““Për mua, ky moment është shumë personal. Teksa rritesha, sllovenët dhe malazezët ishin të barabartë. Nuk kishte kufij që na ndanin. Studionim bashkë, punonim bashkë dhe krijonim miqësi bashkë. Historia na çoi në rrugë të ndryshme. Pamë fytyrën më të keqe të njerëzimit. U shfaqën kufij të rinj dhe çdo komb duhej të gjente rrugën e vet. Por sot, Europa na jep mundësinë të ribashkohemi – në mënyrë paqësore, të lirë, demokratike dhe si partnerë të barabartë”, tha Kos

Në të njëjtin aktivitet, kryeministri malazez Milojko Spajiç deklaroi se Mali i Zi “nuk ka qenë kurrë më afër” anëtarësimit në Bashkimin Europian.