Ballina Politika Rama feston “historinë e suksesit” në BE, por negociatat nga sot nuk...

Rama feston “historinë e suksesit” në BE, por negociatat nga sot nuk maten më me fjalime dhe letra për Brukselin

92
0

Rama festoi sot në rrjetet sociale hyrjen e Shqipërisë në fazën përmbyllëse të negociatave me BE-në si një tjetër triumf të “Shqipërisë Europiane” përballë atyre që, sipas tij, “hodhën baltë”, folën për bllokim negociatash dhe kërkuan ta paraqesin vendin si narkoshtet. Në narrativën e kryeministrit, opozita humbi përsëri dhe Shqipëria fitoi përsëri. Por problemi është se faza ku hyn tani procesi nuk është më faza e fjalimeve, fotografive dhe letrave që dërgohen në Bruksel. Është faza e kontrollit real mbi mënyrën si funksionon shteti.

Deri tani politika shqiptare ka jetuar kryesisht me simbolikën e negociatave: hapje kapitujsh, konferenca ndërqeveritare, deklarata optimiste dhe retorikë europiane. Por faza përmbyllëse e procesit e ndryshon krejt logjikën e marrëdhënies me BE-në. Këtu nuk mjafton më të thuash se po lufton korrupsionin; duhet të tregosh rezultate të qëndrueshme. Nuk mjafton të shkruash ligje; duhet të provosh se ato funksionojnë edhe kundër pushtetit. Nuk mjafton të flasësh për drejtësi të pavarur; duhet të pranosh pasojat politike të saj.

Kjo është arsyeja pse hyrja në këtë fazë është shumë më pak komode për propagandën qeveritare sesa duket në statuset triumfaliste.

Sepse BE-ja tani nuk do të matë më ritmin e deklaratave politike, por ritmin e shtetit real. Do të shohë si funksionojnë institucionet, si zbatohen vendimet e gjykatave, si trajtohen PPP-të dhe prokurimet, sa i pavarur mbetet SPAK-u kur hetimet afrohen pranë pushtetit dhe sa reale është lufta kundër korrupsionit përtej sloganit publik.

Pra, faza e re nuk është më provim komunikimi. Është provim administrimi shteti.

Dhe pikërisht këtu nis kontradikta e madhe e qeverisë Rama: ndërsa kryeministri shpall “histori suksesi”, vetë raportet europiane vazhdojnë të ngrenë shqetësime serioze për korrupsionin, presionin ndaj institucioneve të drejtësisë, financimin politik, transparencën dhe raportin mes pushtetit dhe institucioneve të pavarura.

Në fazat e para të negociatave mund të hapej dera edhe me retorikë politike. Në fazën përmbyllëse fillon kontrolli i brendshëm i shtëpisë. Dhe aty nuk mjafton më çfarë Shqipëria thotë për veten. Aty fillon të peshojë çfarë shteti arrin realisht të ndërtojë./vna