Pavarësisht se kompanitë më të mëdha të inteligjencës artificiale janë amerikane, vendet që po e përdorin më shumë AI në jetën e përditshme dhe në punë janë ekonomi më të vogla dhe më të digjitalizuara. Të dhënat e Microsoft për tremujorin e parë të vitit 2026, të përpunura nga Visual Capitalist, tregojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe kryesojnë botën me 70% të popullsisë në moshë pune që përdor rregullisht mjete të inteligjencës artificiale, të ndjekura nga Singapori me 63%.
Në nivel global, 17.8% e popullsisë në moshë pune përdor tashmë AI për të paktën 90 minuta në muaj, ndërsa Europa po shfaqet si një nga qendrat më të forta të adoptimit të teknologjisë. Plot 11 vende europiane renditen në 20 tregjet kryesore për përdorimin e inteligjencës artificiale, mes tyre Norvegjia, Irlanda, Franca, Spanja dhe Holanda, të gjitha me norma përdorimi mbi 40%.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, megjithëse dominojnë zhvillimin e modeleve të AI, investimet dhe infrastrukturën teknologjike, renditen jashtë 20 vendeve të para për përdorimin real të inteligjencës artificiale. Sipas të dhënave, vetëm 31.3% e popullsisë në moshë pune në SHBA përdor rregullisht AI.
Rajoni i Ballkanit paraqitet me ritme më të moderuara përdorimi, por me rritje të dukshme krahasuar me vitin e kaluar. Kroacia renditet më lart në rajon, në vendin e 37-të globalisht, me 26.1% përdorim të AI në tremujorin e parë të 2026, nga 21.8% që ishte në gjysmën e parë të vitit 2025. Bosnjë-Hercegovina mban vendin e 49-të me 22.1%, nga 18.2% një vit më parë.
Shqipëria renditet në vendin e 59-të në botë për përdorimin e inteligjencës artificiale, me 18.5% të popullsisë në moshë pune që përdor rregullisht mjete AI në tremujorin e parë të vitit 2026. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2025, përdorimi është rritur nga 15.8%, duke treguar se edhe tregu shqiptar po ndjek trendin global të integrimit të inteligjencës artificiale në punë dhe shërbime.
Sipas analizës, ekonomitë më të vogla po ecin më shpejt në përdorimin e AI pasi kanë strategji më të centralizuara digjitale dhe investime më të fokusuara në infrastrukturë, administratë dhe arsim. Europa po përfiton gjithashtu nga infrastruktura e zhvilluar e internetit, digjitalizimi i lartë i bizneseve dhe një forcë pune më e aftë teknologjikisht.
Nga ana tjetër, diferenca globale në adoptimin e AI po zgjerohet. Vendet me infrastrukturë të dobët interneti, akses më të kufizuar në pajisje dhe integrim të ulët të AI në biznes po mbeten pas. Analiza paralajmëron se hendeku në përdorimin e inteligjencës artificiale mund të ndikojë ndjeshëm në produktivitetin dhe konkurrueshmërinë ekonomike gjatë dekadës së ardhshme, në të njëjtën mënyrë siç ndikoi dikur përhapja e internetit.
Azia po shfaqet si rajoni me rritjen më të shpejtë të përdorimit të AI. Koreja e Jugut regjistroi rritjen më të madhe globale me 43.2%, ndërsa Tajlanda, Japonia dhe Mongolia po përjetojnë gjithashtu zgjerim të shpejtë të përdorimit të inteligjencës artificiale. Sipas raportit, përmirësimi i performancës së AI në gjuhët jo-angleze ka ndikuar ndjeshëm në zgjerimin e përdorimit në tregjet aziatike.







