Ballina Aktualitet Më shumë kontrabandë në 2025, Tirana dhe Durrësi kryesojnë për procedime penale

Më shumë kontrabandë në 2025, Tirana dhe Durrësi kryesojnë për procedime penale

84
0

Kontrabanda me mallra të tjera dhe mosdeklarimi i parave në kufi janë ndër veprat penale që kanë shënuar rritjen më të madhe gjatë vitit 2025 në fushën e doganave. Të dhënat e raportit të Prokurorit të Përgjithshëm tregojnë se procedimet penale për “Kontrabandë me mallra të tjera” u rritën me 34,62% krahasuar me vitin 2024, ndërsa rastet për “Mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë” u shtuan me 7,79%.

Sipas raportit, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera” janë regjistruar 105 procedime penale gjatë vitit 2025, nga 78 që ishin një vit më parë. Kjo vepër zë 30,70% të të gjitha procedimeve për krimet në fushën e doganave, duke u kthyer në veprën penale më të përhapur të këtij grupi.

Rritje ka pasur edhe për mosdeklarimin e parave dhe sendeve me vlerë në kufi. Në vitin 2025 janë regjistruar 83 procedime penale, kundrejt 77 procedimeve në vitin 2024. Kjo vepër përbën 24,27% të procedimeve të regjistruara në krimet doganore.

Ndërkohë, procedimet për “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” kanë pësuar ulje. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 66 procedime, nga 70 një vit më parë, ose 5,71% më pak. Kjo kategori përbën 19,30% të procedimeve penale për krimet doganore.

Në ulje kanë qenë edhe rastet për “Tregtimin dhe transportimin e mallrave që janë kontrabandë”. Sipas raportit, procedimet për këtë vepër penale ranë me 24,66% gjatë vitit 2025 dhe zënë 16,08% të procedimeve totale të regjistruara në këtë grup veprash penale.

Në total, krimet në fushën e doganave përbënin 1,26% të të gjitha procedimeve penale të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2025, nga 1,36% që ishte kjo peshë në vitin 2024. Megjithatë, koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë u rrit nga 14,07 në vitin 2024 në 14,47 në vitin 2025.

Raporti evidenton se numri i procedimeve të regjistruara për krimet doganore është rritur me 1,18%, ndërsa procedimet e dërguara në gjykatë janë shtuar me 19,89%. Në rritje rezulton edhe numri i të pandehurve. Sipas të dhënave, numri i të pandehurve të regjistruar u rrit me 14,68%, ata të dërguar në gjykatë me 20,25%, ndërsa numri i të dënuarve nga gjykata u rrit me 30,32% krahasuar me vitin 2024.

Profili i personave të përfshirë në këto vepra penale dominohet nga meshkujt. Raporti tregon se 92,91% e të pandehurve janë meshkuj dhe vetëm 7,09% femra. Sa i përket arsimit, 56,39% rezultojnë me arsim të mesëm, 23,68% me arsim deri 9-vjeçar dhe 19,92% me arsim të lartë.

Pjesa më e madhe e të pandehurve janë të punësuar në sektorin privat. Sipas statistikave, 71,05% e tyre punojnë në privat, 27,89% janë të papunë dhe vetëm 1,06% janë të punësuar në sektorin shtetëror. Raporti evidenton gjithashtu se 32 shtetas të huaj rezultojnë të pandehur për vepra penale në fushën e doganave gjatë vitit 2025.

Nga shpërndarja gjeografike, Tirana mban numrin më të lartë të procedimeve për krimet doganore, me 24% të rasteve të regjistruara në shkallë vendi. Pas saj renditen Durrësi me 17% dhe Korça me 16%. Ndërsa numri më i ulët i procedimeve është regjistruar në Berat dhe Elbasan me nga 1%, ndërsa Lezha ka më pak se 1% të procedimeve totale.

Sa i përket politikës penale, prokurorët kanë kërkuar dënim me burg për 73,74% të të pandehurve dhe gjobë për 26,26% të tyre. Gjykatat kanë dhënë dënim me burg për 75,74% të rasteve dhe gjobë për 24,26%. Vetëm 2,26% e të pandehurve janë shpallur të pafajshëm.

Raporti tregon gjithashtu se në shumicën e rasteve është aplikuar pezullimi i dënimit dhe vendosja në provë. Kjo masë është kërkuar nga prokurorët për 77,39% të të pandehurve dhe është vendosur nga gjykata për 80,39% të tyre./ekofin.al