Banorët e Durrësit kanë protestuar para godinës së Bashkisë, duke kundërshtuar një projekt që parashikon shembjen e banesave të tyre. Me thirrjet “të rishikohet projekti”, qytetarët akuzojnë autoritetet lokale për veprime selektive dhe mashtrim, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të shembjeve. Sipas dëshmive të qytetarëve, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, zëvendëskryetari Jani ka pretenduar se ka prova fotografike të konsultimeve me banorët. Ky pretendim u mohua kategorikisht nga protestuesit jashtë bashkisë.
Ata shtuan se anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët në media ishin shprehur se i njihnin banorët, në përballjen direkte nuk njohën asnjë prej tyre. Banorët paralajmëruan se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të përshkallëzohen. Ata janë të vendosur të kërkojnë të drejtën e tyre dhe të mos lejojnë shembjen e banesave në atë që e cilësojnë një proces të padrejtë dhe selektiv.
Deklarata e banorëve:
“Sot ne jemi mbledhur për shtëpiat tona, të rishikohet projekti, sepse po e bëjnë Durrësin pa durrsak, po e bëjnë copë-copë, selektive. Tani po marrim vesh nga që kanë folur, që i kemi takuar, kemi fotografi dhe jemi dakord. Të vijë poshtë Elio Jani e të shohim me kë ka qenë Elioja. Është një masakër. Anëtarët e Këshillit, këta që s’i dalin, janë komplet mashtruesa, që po mashtron një popull. Ne nuk i ndahemi, o të rishikohet projekti, edhe të shikojnë ato selektivet. Këto duan të shembin shtëpiat, të vjedhin pallate. Është dëshira më e madhe e Edi Ramës, të madhit të lartë. Se ai ka nxjerrë VKM-në, shtëpinë time unë e kam me VKM. Ka nxjerrë VKM-në, po ma merr prapë me VKM. Mendo se çfarë dallavera bën me VKM-të e veta. Mendo me popullin që po bën masakër. Turpi i mbuloftë, nuk kemi çfarë të themi më. I kemi lënë Zotit që është lart’.







