Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka publikuar listën paraprake prej 26 lojtarësh për Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik, ku mungesat më të mëdha janë Cole Palmer i Chelseat, mbrojtësi i Real Madridit, Trent Alexander-Arnold, si dhe anësori i sulmit të Man. Cityt, Phil Foden. Më herët edhe Harry Maguire konfirmoi se nuk ishte përzgjedhur nga trajneri gjerman i ‘Tre Luanëve’.
Bie në sy se 18 nga lojtarët e përzgjedhur nuk kanë luajtur më parë në një Kupë Bote, ndërsa 11 prej tyre nuk kanë qenë në një turne madhor, përfshi Reece James i cili nuk u aktivizua në Euro 2020.
Nga Botërori i fundit i ‘Katar 2022’ kanë mbijetuar vetëm tetë futbollistë: Jordan Pickford, John Stones, Jude Bellingham, Declan Rice, Jordan Henderson, Bukayo Saka, Harry Kane dhe Marcus Rashford.
Në një deklaratë të lëshuar nga Federata e Anglisë, Tuchel foli për zgjedhjet e tij.
“Është vërtet emocionuese dhe një privilegj i madh të jem në gjendje të emëroj një skuadër të Anglisë për Kupën e Botës. Ka qenë një proces i vështirë për të vendosur për nominimin, por unë kam besim të plotë në këtë grup lojtarësh.
Të gjithë e meritojnë vendin e tyre. Skuadra dhe të gjithë të përfshirët në ekip do të japin gjithçka që munden për ta bërë vendin krenar. E dimë që ata janë me ne dhe shpresojmë për një verë shumë të veçantë”, tregoi ai.
Në sulm ka një thirrje surprizë për Ivan Toney. Pavarësisht se luajti një rol në garën për në finalen e Kampionatit Evropian dy vjet më parë, ish-sulmuesi i Brentford nuk ka luajtur për ‘Tre Luanët’ që kur u transferua në Arabinë Saudite për të luajtur për Al Ahli. Ai ka qenë në formë të shkëlqyer para portës këtë sezon, duke shënuar 42 herë në të gjitha garat.
Anglia, e cila u eliminua nga Franca në fazën çerekfinale në Katar katër vjet më parë, do ta fillojë fushatën e saj më 17 qershor kundër Kroacisë në Grupin L, përpara ndeshjeve kundër Ganës (23 qershor) dhe Panamasë (27 qershor).
Anglia kërkon të fitojë Kupën e Botës për herë të dytë në historinë e saj dhe të parën që nga viti 1966.







