Ballina Sport Trajneri e grumbullon për Kupën e Botës, babai i 19-vjeçarit thotë “Jo”:...

Trajneri e grumbullon për Kupën e Botës, babai i 19-vjeçarit thotë “Jo”: Shumë shpejt!

57
0

Sabri Lamouchi do të drejtojë Tunizinë në Kupën e Botës këtë verë. Është eksperienca e dytë botërore, pas asaj me Bregun e Fildishtë në Brazil 2014. Francezi me origjinë tuniziane është përballur me një të papritur të madhe orët e fundit, pasi shpalli listën e 26 lojtarëve të grumbulluar, që më pas i është dashur ta modifikojë.

Arsyeja është e pabesueshme. Babai i një lojtari i ka thënë “Jo” ftesës së Tunizisë. Bëhet fjalë për një 19-vjeçar, Louey Ben Farhat, një nga talentet më premtues të futbollit tunizian. Ben Farhat luan me Karlsruhe, në Bundesligën 2, është sulmues i dytë dhe këtë sezon ka shënuar 6 gola në 20 ndeshje.

Trajneri Lamouchi e ka shpjeguar publikisht atë që ka ndodhur: “Mora një telefonatë nga babai i Louey. Ai më tha: është shumë shpejt për ta çuar djalin tim në një Botëror. Grumbullimi është refuzuar, pa ‘nëse’ dhe pa ‘por’.

Telefonova djaloshin, por nuk u përgjigj. E konsideroj këtë sjellje mungesë respekti. Dua që të gjithë të dinë një gjë. Kur u emërova trajner, thashë qartësisht se këtu nuk ekzistojnë yjet, ylli i vetëm është Tunizia. Kush nuk respekton këtë flamur dhe këtë fanellë, nuk meriton të luajë për Tunizinë. Nëse dikush ka dyshime, nëse dikush nuk do të marrë pjesë, nuk është i mirëpritur”.