Ndërsa qyteti po përjeton një bum të ri ndërtimesh, arkitektë dhe urbanistë paralajmërojnë se mungesa e standardeve dhe zhvillimi agresiv po rrezikojnë identitetin historik të qytetit bregdetar.
Jeta 3 mijëvjeçare e Durrësit është shënjuar nga pushtimet dhe tërmetet shkatërruese. Megjithatë, banorët e tij nuk e kanë braktisur qytetin, por e kanë rindërtuar vazhdimisht, shpesh nga e para.
Por proceset e rindërtimit kanë sjellë gjithashtu probleme dhe debate për mënyrën se si qyteti duhet të zhvillohet. Kjo dilemë që është shfaqur si pas tërmetit të vitit 1926, ashtu edhe pas atij të 26 nëntorit 2019.
Arkitekti Artan Kacani, autor i disa studimeve mbi zhvillimin urban të Durrësit gjatë shekullit të kaluar, tha se tërmeti i vitit 1926 goditi rëndë indin urban të qytetit, i cili në atë kohë kishte rreth 4,500 banorë.
“Në vazhdim u prodhua një sasi kolosale studimesh zhvillimore dhe përvojash urbanistike, të gjitha në bashkëpunim me arkitektë dhe urbanistë italianë,” tha Kacani për BIRN.
Sipas tij, planet rregulluese të viteve 1928, 1934 dhe 1942 hodhën bazat e strukturës urbane që njihet edhe sot. Në këto plane u përcaktuan akset kryesore të rrugëve dhe bulevardeve të qytetit, përfshirë hyrjen e Durrësit, rrugën “Aleksandër Goga”, “Dëshmorët”, si dhe bulevardet “Dyrrah” dhe “Epidamn”.
Në të dy anët e këtyre bulevardeve vazhdojnë të mbijetojnë ende sot disa nga godinat e ndërtuara pas tërmetit të vitit 1926 nga sipërmarrësit e rinj shqiptarë.
“Kur u vendosa në Durrës, në vitin 1992, shtëpi të tilla me stil të përzier i gjeje me shumicë edhe në rrugën drejt Vilës mbi Kodër apo në zonën rezidenciale buzë detit,” tha për BIRN biznesmeni italian Gaetano Castello.
“Tani shumica e tyre nuk ekzistojnë më, gjë që më kujton Palermon, qytetin tim. Edhe atje shumë godina të tilla janë prishur,” shtoi ai.
Në librin “Durrësi dhe italianët”, studiuesi Xhodë Beja ka dokumentuar 85 godina të ndërtuara në qendër të qytetit gjatë viteve ’30 dhe ’40. Por pas viteve ’90, shumë prej tyre u shembën për t’u zëvendësuar me pallate shumëkatëshe, ndërsa të tjera humbën karakterin origjinal përmes ndërhyrjeve në fasada.
Sipas Bejës, familje si Tati, Leka, Kosturi, Vokopola, Jorgji, Manushi, Margariti, Kosova, Bakiri dhe Dovana ndërtuan një pjesë të konsiderueshme të qytetit modern gjatë dy dekadave që pasuan tërmetin e vitit 1926.
Debati për zhvillimin urban është rikthyer fuqishëm pas tërmetit të vitit 2019.
Urbanistja Entela Koja tha për BIRN se problemi nuk lidhet vetëm me nevojën për të ndërtuar.
“Qytetet kanë nevojë të zhvillohen dhe historia e arkitekturës njeh plot raste ku ndërhyrjet bashkëkohore kanë krijuar dialog të bukur me të vjetrën,” tha ajo.
Por sipas Kojës, problemi nis kur humbet sensi i masës, kontekstit dhe memories së vendit.
“Në atë moment humbasin pikërisht elementet që i japin qytetit identitet dhe vlerë të veçantë,” theksoi ajo.
Sipas saj, kjo ndihet qartë sot në lagjen Kala, pranë mureve mesjetare, në qendrën historike dhe përgjatë bulevardit “Epidamn”.
“Në mungesë të një rregulloreje të posaçme për këtë zonë historike, ndërtimet kanë vazhduar në mënyrë agresive,” tha Koja, duke iu referuar edhe projekteve të pritshme të zhvillimit si TID Durrës.
Ajo shtoi se përdorimi i vazhdueshëm i tërmetit si argument për ndërhyrje të reja urbanistike mbetet shqetësues, edhe në raste kur godinat ekzistuese vazhdojnë të jenë funksionale.
“Në shumë raste emergjenca duket sikur përdoret për të justifikuar transformime që në kushte normale do të hasnin kundërshti publike dhe ligjore,” përfundoi Koja.
Edhe arkitekti Kacani shprehet kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohet qyteti pas tërmetit të vitit 2019.
Sipas tij, ndonëse kanë kaluar shtatë vite nga katastrofa, ende mungojnë standardet e qarta për ndërtimet e ardhshme, ndryshe nga ajo që ndodhi pas tërmetit të vitit 1926.
“Tërmeti i vitit 1926 krijoi kushte për ballafaqimin e vizioneve të ndryshme urbanistike, duke nisur nga studimet e relievit, gjeodezisë dhe hartografisë,” tha ai.
“Kjo përfaqësonte nivelin më të lartë intelektual të arritur deri atëherë në planifikimin urban të qytetit,” shtoi Kacani.
Ai paralajmëroi gjithashtu se zhvillimi intensiv me kulla shumëkatëshe rrezikon të zbehë karakterin historik të Durrësit.
“Në një qytet turistik, vizitorët nuk vijnë për të parë kullat shumëkatëshe,” tha Kacani. “Ata janë të interesuar për lagjet historike dhe identitetin urban të qytetit.”/Birn







