Ballina Aktualitet Alarm për murtajën e bagëtive/ Kontrolle në Lezhë, apel fermerëve: Shmangi tregun...

Alarm për murtajën e bagëtive/ Kontrolle në Lezhë, apel fermerëve: Shmangi tregun e Milotit

83
0

Shfaqja e murtajës te bagëtitë në Dajç të Shkodrës shtoi alarmin edhe në zonën kufitare te Zadrimës në Lezhë, ku veterineret këshillojnë blegtoret të mos shesin tek tregu i Milotit. Ndalohet dhe lëvizja e kafshëve.

Në hyrje-dalje janë vendosur pika kontrolli, ndërsa po monitorohen të gjitha fermat e Zadrimës, e konsideruar si zonë me risk për shkak të afërsisë me Dajçin e Shkodrës.

Veterinerët u bëjnë thirrje fermerëve të shmangin transportin e bagëtive dhe të mos frekuentojnë tregun e Milotit, i cili konsiderohet një burim potencial infeksioni për sëmundjen e murtajës.

“Përgjegjës, Autoriteti i Veterinarisë Lezhë: Aktualisht po bëjmë monitorime dhe kontrolle nëpër akse rrugore, ferma dhe sidomos në zonat me risk si Dajçi dhe Zadrima, pasi vatra është afër në Shkodër dhe synojmë të shmangim depërtimin e sëmundjes. U bëjmë thirrje fermerëve të mos bëjnë lëvizje të paautorizuara të kafshëve dhe të shmangin tregun e Milotit, pasi bëhet burim infeksioni”, tha Ded Rama përgjegjës te Autoriteti i Veterinarisë Lezhë.

Kufizimet janë të domosdoshme për mbrojtjen e tufave dhe ekonomisë blegtorale në zonë.

“Duhet të na mirëkuptojnë fermerët, pasi është një situatë jo e mirë për ekonominë e tyre, por këto masa merren për shëndetin e kafshëve dhe për të mos lejuar përhapjen e sëmundjes. Marrim mostra dhe i dërgojmë në ISUV”, tha Ded Rama.

Në Qarkun e Lezhës u kryen analiza të bagëtive për disa raste të dyshuara, por fatmirësisht nuk rezultuan të prekur nga sëmundja e murtajës.