Ballina Ekonomia 5.4 milionë euro të ardhura të padeklaruara, Tatimet kapin në evazion rrjetin...

5.4 milionë euro të ardhura të padeklaruara, Tatimet kapin në evazion rrjetin e agjencive imobiliare

70
0

Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke evidentuar raste të dyshuara të fshehjes së të ardhurave dhe evazionit fiskal në disa agjenci imobiliare që operojnë në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë.

Sipas informacionit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, hetimet janë fokusuar në krahasimin mes aktivitetit real ekonomik të subjekteve dhe deklarimeve të paraqitura pranë administratës tatimore. Kontrollet dhe verifikimet intensive kanë nxjerrë në pah skema të dyshuara të mosdeklarimit të komisioneve dhe mosraportimit të plotë të transaksioneve të shitblerjes së pronave.

Nga analizat e kryera deri tani, Tatimet bëjnë me dije se është evidentuar një rrjet agjencish imobiliare që operon në formë franchise me mbi 25 zyra në Tiranë, Sarandë, Lezhë dhe Vlorë. Sipas hetimit, subjekti dyshohet për shmangie të detyrimeve tatimore përmes fshehjes së të ardhurave nga komisionet.

Administrata Tatimore deklaron se nga analizimi i të dhënave të sekuestruara në njësinë kompjuterike të subjektit kryesor, që administronte databazën qendrore të shitjeve për të gjitha zyrat, janë evidentuar të ardhura të padeklaruara nga komisionet në vlerën rreth 5.4 milionë euro.

Tatimet njoftuan se ky është rasti i dytë i finalizuar në kuadër të këtij operacioni, ndërsa Drejtoria e Hetimit Tatimor vijon përpunimin e të dhënave edhe për subjekte të tjera, ku priten rezultate të reja në vijim.

Në reagimin zyrtar thuhet se Administrata Tatimore mbetet e angazhuar në luftën kundër evazionit fiskal dhe fshehjes së të ardhurave, me synim garantimin e konkurrencës së ndershme, transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik.