Në rrugën “Berit Beker” në Tiranë, një 19-vjeçar, R. S., ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij 17-vjeçar, pasi dyshohet se në momentin që po i tregonte armën pa leje, duke menduar se nuk kishte fishek në fole, ka shkrepur armën dhe ka qëlluar të miturin.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e tij, ku ndodheshin edhe persona të tjerë, ndërsa si pasojë e të shtënës 17-vjeçari ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhje me rastin janë arrestuar në flagrancë 19-vjeçari R. S., si dhe dy shokët e tij, A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij, vihet në pranga 19-vjeçari.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, shokë të tyre.
Sekuestrohet arma e zjarrit që 19-vjeçari e posedonte pa leje.
Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore:
-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
-u arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.







