Ballina Bota Tragjedi në Australi/ 39-vjeçari vdes pas sulmit nga peshkaqeni në Queensland, i...

Tragjedi në Australi/ 39-vjeçari vdes pas sulmit nga peshkaqeni në Queensland, i treti incident fatal këtë vit

66
0

Një burrë 39-vjeçar ka humbur jetën pas një sulmi nga një peshkaqen në shtetin verilindor të Queensland, në një incident tragjik që ka tronditur komunitetin lokal dhe është i treti rast fatal i këtij lloji në Australi gjatë këtij viti.

Sipas autoriteteve, viktima nga Cairns po bënte zhytje me maskë në zonën e njohur Kennedy Shoal, një shkëmb në det të hapur i përdorur shpesh për peshkim në thellësi, kur u sulmua nga një peshkaqen. Policia e Queensland bëri të ditur se ai pësoi plagë të rënda në kokë dhe u nxor nga uji nga një person tjetër që ndodhej në vendngjarje.

Shërbimet e emergjencës u thirrën menjëherë në zonë, pak para mesditës sipas kohës lokale. Megjithë ndërhyrjen, ai ndërroi jetë në rampën e hipjes në varkë, konfirmoi Shërbimi i Ambulancës së Queensland.

Zyrtarja e policisë së Queensland, Elaine Burns, deklaroi se incidenti ishte i rëndë dhe traumatik për dëshmitarët në vendngjarje. Ajo theksoi se “të dëshmosh një ngjarje të tillë është vërtet e tmerrshme” dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, pavarësisht se duhet të vazhdojnë të shijojnë bregdetin australian.

Zona ku ndodhi sulmi ndodhet rreth 160 kilometra në jug të Cairns dhe pranë Great Barrier Reef, një nga destinacionet më të njohura turistike në botë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ky është sulmi i tretë fatal nga peshkaqenët në Australi për këtë vit, ndërsa vetëm një javë më parë një tjetër incident i ngjashëm u raportua në Australinë Perëndimore, duke rritur shqetësimet për sigurinë në ujërat australiane.