“Kam vendosur që nga sot, kjo të jetë xhumaja e fundit, për arsye se kam marrë një rrugëtim tjetër… Nga sot, unë do t’ju kërkoj hallallin…”. Me këto fjalë, Osman Musliu, më 15 maj, ia komunikoi lajmin xhematit në një xhami në Drenas – në qendër të Kosovës – se po hiqte dorë nga detyra e imamit për t’iu futur garës politike për deputet në Kuvendin e Kosovës. Ky vendim e bëri atë rastin e parë të njohur të një përfaqësuesi të Bashkësisë Islame të Kosovës, që largohet nga funksioni fetar, për t’u përfshirë drejtpërdrejt në politikë. Ai iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje – partisë që ka dalë e para në tri ciklet e fundit zgjedhore në vend – në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Kosova është një shtet laik në Evropën Juglindore, ku ndarja mes fesë dhe shtetit është e garantuar me Kushtetutë. Nga aktivizmi shoqëror te politika Musliu thotë për Radion Evropa e Lirë se angazhimi i tij publik nuk është i ri. Sipas tij, ai ka nisur para luftës së viteve 1998-1999 dhe ka vazhduar edhe pas saj, si pjesë e një angazhimi qytetar, apo, siç shprehet vetë, “duke ngritur zërin përballë disa temave të rënda e të ndjeshme, për ta bërë këtë liri me kuptim”. “Asnjëherë nuk e kam bërë se ma kërkonte detyra zyrtare, por se ma kërkonte ndershmëria qytetare. Andaj, po hyj në garë si qytetar i barabartë i kësaj republike, duke bartur me vete një përvojë mbi 40-vjeçare të aktivizmit shoqëror”, thotë Musliu, pa dhënë më shumë detaje. Nga postimet e tij në llogarinë në Facebook mund të vërehen aktivitete të ndryshme – nga përkujtimi i pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri te shprehja e mbështetjes për ndëshkimin e shkelësve të ligjit e te komentimi i ndeshjeve të futbollit. Musliu thekson se mandatin e mundshëm si deputet nuk e sheh si vazhdim të rolit të tij fetar, por si angazhim politik në një shtet laik. “Do të jem zëri i asaj Kosove, si një shtet i fortë e shoqëri e drejtë, ku asnjë qytetar nuk lihet pas dore apo anashkalohet, për shkak të krahinës prej nga vjen, gjinisë apo besimit që i përket”, thotë Musliu. Pavarësisht këtij pozicionimi, në profilin e tij në Facebook gjenden edhe postime me hashtag-un “me hoxhën”, apo një tjetër ku thuhet: “Komb. Fe. Familje” – çka i shton diskutimet për ndërthurjen e identitetit fetar me atë politik. Disa e shohin si zgjerim të hapësirës demokratike hyrjen e tij në politikë; të tjerë e konsiderojnë problematike në raport me ndarjen e fesë nga shteti. Korniza ligjore e kandidimit Neni 45 i Kushtetutës së Kosovës garanton të drejtën e çdo qytetari që ka mbushur moshën 18 vjeç – madje edhe në ditën e zgjedhjeve – “të zgjedhë dhe të zgjidhet”.
Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm në rastet kur ekziston një vendim gjyqësor për shkelje ligjore. Njohësi i çështjeve juridike, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se nuk ekziston asnjë ndalesë kushtetuese apo ligjore që i pengon qytetarët të garojnë për poste publike, përfshirë edhe ata që kanë mbajtur më herët funksione në institucione fetare. Në këtë kuptim, sistemi juridik i Kosovës ndjek standardet evropiane për të drejtat politike universale, pa dallim profesioni apo përkatësie të mëparshme. “Nuk ka asnjë ndalesë dhe asnjë rrethanë që ia pamundëson atij, apo kujtdo tjetër që në të kaluarën ka mbajtur përgjegjësi fetare apo çdo përgjegjësi tjetër, të garojë dhe të hyjë në procesin zgjedhor, qoftë për deputet në Kuvend, qoftë për asambleist komunal në zgjedhjet lokale”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë. Ai shton se Kushtetuta e Kosovës, madje, i obligon institucionet shtetërore që të mbështesin pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën publike dhe ushtrimin e së drejtës për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimmarrjen e organeve publike. Kushtetuta e Kosovës, në nenin 8, e përcakton vendin si “shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. Ndonëse akti themeltar nuk e ndalon pjesëmarrjen e përfaqësuesve fetarë në garat zgjedhore, Bugaqku vlerëson se persona të tillë, për të shmangur keqkuptimet në opinionin publik, duhet të respektojnë rregulloret e institucioneve fetare përkatëse ose të tërhiqen plotësisht prej tyre. BIK-u dhe vijat e kuqe institucionale Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila përfaqëson komunitetin mysliman në vend – 93.49 për qind e popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2024 – ka ndaluar, me një udhëzim të nxjerrë në vitin 2014, zyrtarët e saj të marrin pjesë në parti politike dhe fushata elektorale. Ky vendim, sipas konfirmimit të sekretarit të BIK-ut, Ahmet Sadriu, mbetet ende në fuqi. Ai shpjegon për Radion Evropa e Lirë se Musliu ka dhënë dorëheqje nga pozita e imamit me vullnet të lirë dhe se nuk ka kërkuar asnjë mbështetje nga institucioni lidhur me vendimin e tij për t’u përfshirë në politikë. “Në momentin që ka hyrë në listën zgjedhore, ai në mënyrë automatike është tërhequr, ka dhënë dorëheqje nga pozita e imamit dhe nuk është më nëpunës i Bashkësisë Islame”, thotë Sadriu.
Ai shton se BIK-u është institucion jopolitik dhe ruan neutralitetin ndaj besimtarëve myslimanë në vend, të cilët, sipas tij, kanë orientime të ndryshme politike dhe mbështesin parti të ndryshme. Megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që në disa raste të rralla, punonjës të këtij institucioni të shprehin bindje politike në mënyrë individuale, përmes rrjeteve sociale apo deklaratave publike. Opinioni i ndarë publik Në opinionin publik, reagimet janë të ndara. Disa qytetarë të anketuar në Prishtinë nga Radio Evropa e Lirë e shohin si vendim të gabuar për një figurë fetare, të tjerë si të drejtë demokratike. Agim Gjinovci thotë se nuk e mbështet vendimin e Musliut. “Imami ka qenë figurë fetare dhe nuk është dashur të hyjë në politikë, edhe pse ka të drejtë. Politika e çon ujin në qiell dhe këtu është dallimi, sepse ia ka ndryshuar mendjen”, thotë ai. Por, Naim Kelmendi mendon të kundërtën. “Nuk e shoh si devalvim. Është vlerë e demokracisë. I shton vlerat si qytetar, si deputet dhe jo si hoxhë. Deri dje i ka shërbyer besimit, ka qenë hoxhë, por le të konkurrojë… E ka vendosur ashtu dhe është vendimi i tij”, thotë ai. Debati për kufijtë mes fesë dhe politikës Sociologë dhe studiues të çështjeve shoqërore e shohin rastin në një prizëm më të gjerë. Studiuesi i filozofisë dhe gazetari, Latif Mustafa, vlerëson se përfshirja e klerikëve në politikë nuk është problematike në vetvete, për aq kohë sa ata operojnë brenda diskursit laik. Problemi, sipas tij, lind vetëm kur diskursi fetar bartet në institucione shtetërore. “Sikur një hoxhë të ngrihej në Parlament dhe të thoshte, për shembull: ‘këtë punë që po e bëni ju, e dënon Zoti’, atëherë mund të kemi problem. Por, nëse i njëjti hoxhë u drejtohet deputetëve duke thënë se ‘këtë gjë e ndalon Kushtetuta, e ndalojnë ligjet tona’, atëherë ai flet me kompetencën e një politikani që i është nënshtruar një rendi sekular dhe demokratik”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë. Për më tepër, sipas tij, përfshirja e klerikëve në politikë mund të sjellë edhe vlerë të shtuar, për shkak të asaj që ai e quan “kapital moral”, i fituar gjatë shërbimit fetar.
Por, sociologu dhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Fadil Maloku, e sheh përfshirjen e Musliut në politikë në një kontekst më të gjerë politik dhe elektoral. Duke iu referuar ambicies së deklaruar të Lëvizjes Vetëvendosje për rezultat të lartë zgjedhor, ai thotë se kjo parti po i qaset garës me atë që e ai quan “makiavelizëm estetik” – duke aluduar në përdorimin e figurave të caktuara për efekt elektoral. Në një klip të prezantimit si kandidat për deputet, të shpërndarë në Facebook, Musliu shihet i shoqëruar me përfaqësues të Vetëvendosjes, duke përshëndetur kalimtarë të rastit dhe duke u lutur në xhami. “Për mendimin tim, është një lloj zhvendosjeje e këtij subjekti politik nga sekularizmi në një lloj pragmatizmi elektoral, ku identiteti fetar shihet si kapital dhe potencial”, thotë Maloku për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, kandidimi i Musliut mund të lexohet edhe si një formë e afrimit të politikës me fenë dhe si një simptomë e transformimit të politikës shqiptare nga sekularizmi drejt përdorimit të elementeve identitare fetare. “Kjo, në një mënyrë, e shpreh edhe krizën e elitave politike tradicionale. Kur politika fillon të përdorë identitetin fetar si mjet mobilizimi, debatet programore zëvendësohen gradualisht me emocione, ndërsa racionaliteti politik dobësohet”, thotë Maloku, duke shtuar se një qasje e tillë mund të ndikojë në rritjen e polarizimit kulturor dhe fetar në shoqëri. Mendim tjetër ndan Mustafa. Ai nuk beson se përfshirja e klerikëve në politikë përbën rrezik për laicitetin e shtetit. “Rrezikimi i rendit laik do të ndodhte nëse një parti politike e strukturuar mirë del hapur kundër rendit kushtetues… Kjo do të ishte problematike”, thekson ai. Sipas tij, praktika ka treguar se votuesit në Kosovë mund të mbështesin individë me sfond fetar për vlerat e tyre personale, por jo domosdoshmërisht projekte politike kolektive mbi baza fetare. Skena politike në Kosovë ka njohur më herët disa tentativa për organizim politik mbi baza fetare, kryesisht me sfond islam, por këto subjekte nuk kanë arritur ndonjë mbështetje të gjerë elektorale dhe kanë mbetur margjinale në raport me partitë kryesore. “Ky popull ka dëshmuar për disa herë se fetarit, mbi baza personale fetare, për vlerat që ai person ka, mund t’ia japë votën. Por, në grup, jo”, përfundon Mustafa./REL







