Ballina Opinion Disa vepra të Edi Ramës në Durrës, që nuk u përmendën dje!

Disa vepra të Edi Ramës në Durrës, që nuk u përmendën dje!

98
0

Nga Belind Këlliçi 

Në një atmosferë të rënduar si një dehje masive, Edi Rama mbajti dje në Durrës një aktivitet gjasme nën logon e 35 vjetorit të krijimit të PS, por që në fakt u kthye në një tribunë propagande dhe sulmi ndaj Partisë Demokratike dhe Opozitës.

Shfrytëzimi i këtyre sallave me militantë të vërbër për të shpallur armiq e për t’i bërë ata shënjestër të sulmit, është një taktikë e neveritshme për të fshehur problemet reale të vendit, për të mbuluar dështimet dhe për të karikuar masat e patronazhistëve dhe të punësuarve.

Po të shohësh tonet dhe fjalorin, duket sikur aty po ngjizet një organizatë e këmishave të zeza që do u sulen të gjithë atyre që nuk janë të pranishëm, atyre që nuk mendojnë si ata, dhe sigurisht atyre që janë kritikë me ta.

Ironia e madhe është ta bësh këtë në Durrës, ku janë aty si male zullumi të korrupsionit e lidhjes me krimin, në disa afera.

Jo larg nga ku i ra borive Edi Rama, është porti i Durrësit, që për 13 vite i është lënë nën administrim klanit kriminal të qytetit, dhe tanimë, vendi dhe trualli prej 80 hektarësh, i është falur një miku personal të Kryeministrit që ai të bëjë aty biznes me paratë e shqiptarëve.

Prej aferave dhe korrupsionit të Edi Ramës, Shqipëria po mbyll një port 2 mijë vjeçar dhe po i heq vendit një prej aseteve më të mëdha ekonomike.

Jo larg nga aty ku Edi Rama sulmoi të gjithë ata që nuk ishin në sallë, është pirgu i madh i mbetjeve toksike, që u nisën nga Durrësi, e u kthyen sërish aty pasi u pikasën nga autoritetet ndërkombëtare. Kryeministri e mohoi edhe në Parlament, por pas analizave doli se ishte lëndë e rrezikshme për shëndetin e jetën. Janë aty mijëra tonë mbetje.

Pikërisht në Durrës, Edi Rama aplikoi skemën e ndarjes së pushtetit me krimin, me listën e deputetëve që e hartoi bashkë me ta. Deputeti i investuar nga bandat është dënuar, dhe SPAK vërtetoi se ai u fut në Kuvend prej krimit të organizuar.

Aty ku Edi Rama bërtiste kundër të gjithëve, po u merret prona dhjetra familjeve durrsake për një projekt aspak transparent, dhe ata nuk po e gjejnë të drejtën askund, edhe pse janë më autoktonët në atë qytet.

Ende ka qindra banorë që nuk kanë shtëpi pas tërmetit, dhe Edi Rama thjesht shtyn mashtrimet.

Këto janë disa nga veprat e qeverisjes së tij. Sigurisht ai që është përgjegjësi dhe autori i tyre, nuk skuqet e as nuk zverdhet siç do të duhej ti ndodhte një njeriu normal kur shkel në atë qytet e në atë qark.

Po këto bëma janë aty, njerëzit i dinë, durrsakët i njohin. Britmat me regji live nuk i fshehin dot.