Ballina Bota Ish-presidenti Biden padit Departamentin e Drejtësisë, kërkon bllokimin e publikimit të audio-incizimeve...

Ish-presidenti Biden padit Departamentin e Drejtësisë, kërkon bllokimin e publikimit të audio-incizimeve private me biografin e tij

77
0

Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka ngritur padi ndaj Departamentit të Drejtësisë në SHBA, në përpjekje për të ndaluar publikimin e audio-incizimeve dhe transkripteve nga biseda private me biografin e tij.

Avokatët e Biden deklaruan në padinë e dorëzuar në gjykatën federale në Uashington se Departamenti i Drejtësisë planifikon t’i dorëzojë materialet Kongresit dhe organizatës konservatore Heritage Foundation.

Sipas tyre, publikimi i këtyre materialeve do të përbënte “shkelje të pajustifikuar të privatësisë” së ish-presidentit.

Çështja lidhet me intervista të realizuara në vitet 2016 dhe 2017 në shtëpinë e Biden, me shkrimtarin Mark Zwonitzer, i cili bashkëpunoi me të në dy librat autobiografikë.

Materialet audio dhe transkriptet u shqyrtuan nga këshilltari special Robert Hur në kuadër të hetimeve për ruajtjen e papërshtatshme të dokumenteve të klasifikuara nga Biden, që nga koha kur ai ishte senator dhe më pas zëvendëspresident.

Hetimi njëvjeçar i Hur përfundoi me një raport prej 345 faqesh, ku ngriheshin pikëpyetje për moshën dhe gjendjen mendore të Biden, por rekomandohej që ndaj tij të mos ngriheshin akuza penale.

Hur argumentoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta çuar me sukses çështjen në gjykatë.

Megjithatë, raporti arrinte në përfundimin se Biden kishte lexuar pjesë nga shënime të klasifikuara para biografit të tij. Gjithashtu, sipas hetuesit special, problemet e kujtesës së Biden gjatë intervistave do ta bënin të vështirë të provohej se ai kishte vepruar me qëllim.