Federico Valverde është rikthyer të flasë për incidentin e bujshëm me Aurelien Tchouameni, që e tronditi ambientin e Real Madridit pak javë më parë. Mesfushori uruguaian e pranoi se përplasja me shokun e skuadrës ishte një moment i vështirë, por theksoi se kjo eksperiencë do ta ndihmojë të rritet edhe më shumë si lider i ekipit.
“Ka qenë një situatë nga e cila kam mësuar shumë. Do të më shërbejë për t’u bërë një kapiten më i mirë në të ardhmen”, deklaroi Valverde gjatë një interviste për mediat spanjolle. Përplasja mes Valverdes dhe Tchouamenit ndodhi gjatë një seance stërvitore të Real Madridit në fillim të muajit maj. Incidenti degjeneroi në kontakt fizik, me uruguaianin që e pësoi një dëmtim në kokë dhe përfundoi në spital për trajtim mjekësor.
Pas hetimit të brendshëm, Real Madridi vendosi t’i gjobisë të dy futbollistët me nga 500 mijë euro, ndërsa klubi konfirmoi se të dy lojtarët kishin kërkuar falje reciproke dhe ndaj skuadrës. Valverde, i cili këtë sezon mori edhe më shumë përgjegjësi në hierarkinë e dhomës së zhveshjes pas largimit të disa figurave historike të klubit, pranoi se emocionet dhe tensioni i sezonit ndikuan në atë episod.
Mesfushori 27-vjeçar konsiderohet një nga liderët e rinj të Real Madridit dhe së fundmi është përmendur edhe si kapiteni i parë uruguaian në historinë moderne të klubit madrilen. Nga ana tjetër, Tchouameni vazhdoi të ishte pjesë e planeve të trajnerit Alvaro Arbeloa edhe pas incidentit, ndërsa marrëdhënia mes dy futbollistëve duket se është normalizuar pas ndërhyrjes së klubit.
Pavarësisht polemikave, Valverde mbetet një nga lojtarët kyç të Real Madridit. Në sezonin aktual ai e ka kaluar shifrën e 370 paraqitjeve me fanellën “Los Blancos” dhe është kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të projektit të ri madrilen.







