Ballina Ekonomia AgroBlend mashtron fermerët me Urenë, analiza e nxjerr me 34 % Azot...

AgroBlend mashtron fermerët me Urenë, analiza e nxjerr me 34 % Azot nga 46 % të deklaruar në thes

69
0

Investigimi i Qendrës ALERT ka zbuluar si po mashtrohen nga kompania Agroblend me plehun kimik (URE), me përqindje të Azotit shumë më pak se ajo që e ka të deklaruar në thes.

Për disa javë fermerët e ndryshëm ishin ankuar për një produt plehërues (pleh kimik, URE), që në pamje duket ndryshe nga produkti i zakonshëm dhe që nuk ka dhënë rendiment në tokat ku është përdorur dhe perimet apo frutat e tyre.

Me foto e video, fermerë nga zona të ndryshme të vendit, i janë drejtuar Qendrës ALERT , duke shprehur shqetësimin e tyre për një mashtrim të mundshëm. Bëfej fjalë pikërisht për produktin Ure nga kompania AgroBlend, me numër regjistrimi në Shqipëri 1817/1, datë 13.12.2024, me origjinë Turkmenistan dhe  prodhuar, më saktë ambalazhuar në muajin shkurt 2026.

Image

Në këto kushte, për të mos besuar vetëm pretendimet e fermerëve, Qendra ALERT doli në terren, duke blerë produktin URE nga 4 kompani që zotërojnë tregun shqiptar të produkteve plehëruese, konkretisht Agroblend, Besniku, MBM dhe IAM. Produktet u morën në thasë 25-kilogramësh, për t’u hapur më pas para kamerës dhe për të dërguar mostra në laboratorin e specializuar shtetëror për plehrat kimike (produktet plehëruese) të Qendrës së Transfetimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Fushë-Krujë.

Katër mostrat u dërguan në laborator të koduara me numra dhe në konteiner pa shenja identifikuese të kompanive respektive. Pas disa ditësh, QTTB e Fushë-Krujës ktheu rezultatin e analizave, duke konfirmuar zyrtarisht dhe pretendimet e fermerëve: Produkti URE i AgroBlend, i përmendur më sipër, ka vetëm 34.3 % Azot, nga 46 % të deklaruar në ambalazh (thes). Dhe sipas raport-analizës, është me dy ngjyra, si dhe granulare plus kokrrizore. Por, t’i marrim me radhë.

Sipas laboratorit, kampioni me numrin 1, që konkresisht është Besniku SHPK, ka rezultuar me 46.02 % Nivel të Azotit, në ambalazh është i deklaruar 46 %. Gjithashtu, sipas analizës, produkti URE është ngjyrë e bardhë dhe përbërja granulare.

Image

Mostra me numrin 2 i përket IAM shpk, sipas QTTB-së, rezulton me 46.37 % Azot, ngjyra e bardhë dhe granulare.

Image

Mostra numër 3, është Ure nga kompania AgroBlend. Sipas laboratorit, paraqet problem në përqindjen e Azotit, si dhe në përbërje e ngjyrë. Raport-analiza e QTTB tregon se produkti në fjalë ka 34.3 % Azot, nga 46 % të deklaruar në etiketë, si dhe është me ngjyra të përziera, e bardhë dhe e verdhë, ndërsa përbërja është granulare dhe kokrrizore, ndryshe nga 3 mostrat tjera. Ky rast përbën një shkelje të rëndë të ligjit për Produktet Pleheruese, Neni 27, si dhe një mashtrim ndaj fermereve, të cilet nuk marrin rendimentin e duhur nga përdorimi i këtij produkti.

Image

Ndërsa mostra numër 4 i përket kompanisë MBM. Rezultati i analizës për nivelin e Azotit është 45.85 %, shumë pak nën deklarimin në etiketë, si dhe ka ngjyrë të bardhë dhe është granulare.

Image

Rezulton se fermerët shqiptarë dhe ata në Kosovë mashtrohen me cilësinë dhe garancinë që duhet të ofrojnë produktet plehëruese për të dhënë rendimentin e duhur.

Menjëherë pas daljes së rezultatit zyrtar të analizave nga QTTB e Fushë-Krujës, u njoftua për këtë situatë në tregun e plehrave kimike Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, si institucioni publik që ka detyrë kontrollin e këtij tregu dhe garantimin e cilësisë dhe sigurisë së këtyre produkteve.

Ndërkaq, eksperti i njohur i produkteve plehëruese, imputeve bujqësore dhe ish-punonjës për shumë vite i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Z.Arben Shytaj, ka komentuar rezultatet e analizave, sipas të cilit, rasti I Uresë së Agroblen përbën shkelje të hapur të legjislacionit në fuqi, duhen marrë masa, si dhe përbën mashtrim mbi djersën e fermerëve.

Më poshtë, interpretimi i plotë i Z.Shytaj:

“Nga 4 analizat e kryera, 3 dalin konform deklarimit në etiketë, 1 del 34.3 % azot (N) nga 46 % deklaruar në etiketë.

Ky rezultat konsiderohet shumë problematik dhe praktikisht jashtë standardit tregëtar,

34:46×100=73.9. Pra, produkti ka vetëm rreth 74% të përmbajtjes së deklaruar.

Nga pikëpamja agronomike; fermeri mashtrohet, sepse merr shumë më pak azot se sa paguan;

Ligjore; produkti konsiderohet jo-konform;

Ekonomike; diferenca është e madhe, jo një devijim teknik normal. Për urenë, zakonisht tolerancat teknike janë shumë të vogla (zakonisht rreth 0.5–1 % absolute sipas standardeve dhe metodave analitike). Kalimi nga 46 % në 34.3 % nuk shpjegohet.

Kjo ngre dyshime për:

falsifikim,

përzierje me materiale inerte,

degradim ekstrem nga ruajtja,

ose produkt që nuk është fare ure.

Në praktikë, një ure tregtare normale zakonisht del:

45–46.5% N.

Dyshime dalin edhe nga fotot e produktit, ngjyra jo e bardhe si e uresë dhe përzierje granulash dhe grimcash.

Bazuar në ligjin nr.17/2020 për produktet plehruese, Neni 27

Veprimtari të ndaluara

Ndalohet prodhimi, importi, vendosja në treg dhe përdorimi:

a) i produkteve plehëruese të paregjistruara;
b) i produkteve plehëruese me përmbajtje substancash të dëmshme, të cilat mund të përbëjnë

rrezik për sigurinë ose shëndetin e njerëzve, kafshëve ose bimëve ose një rrezik për mjedisin;

c) i produkteve plehëruese të falsifikuara;

ç) i produkteve plehëruese të tjetërsuara;

d) i produkteve plehëruese me përmbajtje të padeklaruar;
dh) i produkteve plehëruese të skaduara.

Ndërkohë një sasi shumë e madhe e kësaj Ureje është përdorur tashmë nga fermerët, të cilët rrezikojnë të mos marrin prodhimin e pritshëm prej tyre, siç e kanë deklaruar dhe vetë ne ankesat që kanë nisur më herët.

Teksa çmimi është dyfishuar për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe femrerët shqiptar përballen me mjaft vështirësi ekonomike, mashtrimi i tyre me cilësinë e produktit është veprim i pandershëm dhe abuziv në kurriz të tyre. /Qendra Alert/