Ballina Opinion Midis trimërisë së Ramës dhe pavendosmërisë së perëndimorëve!

Midis trimërisë së Ramës dhe pavendosmërisë së perëndimorëve!

74
0

Nga Edvin Kulluri 

Që ka diçka që nuk shkon në marrëdhëniet e qeverisë shqiptare në raport me komunitetin ndërkombëtar perëndimor, është pak, por e sigurt për t’u thënë. Nga takimet e lumtura me Marta Kos në Bruksel tek dekorimi partiak i Jurgis Çyrbës dhe Engjëll Agasit në Durrës, qëndron në mes një paradoks i madh. Ashtu siç pjesëmarrja në takimin inaugurues të Bordit të Paqes për Gazën në Uashington krijon pështjellim, nëse mbajmë në konsideratë faktin publik se Rama nuk ka asnjë takim dypalësh të nivelit të lartë të qeverisë amerikane, që nga koha e vizitës së Anthony Blinken në Tiranë në vitin 2024. Pra, prej plot dy vitesh! Por është po aq e vërtetë se lista e kundërthënieve në marrëdhëniet e kryeministrit tonë me qeveritë partnere është shumë e gjatë se aq. Fjala vjen, sa herë Rama sulmon SPAK, qoftë edhe duke marrë në mbrojtje bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për vepra të ndryshme penale, BE dhe SHBA reagojnë menjëherë në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit. Por po të vazhdojmë me raste të tjera të ngjashme, që zgjaten me një listë raportesh të Departamentit të Shtetit, Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, në të cilat Shqipëria duket qartë që ndodhet në një situatë shumë të vështirë, e në anën tjetër negociatat për anëtarësim në BE vijojnë, dhe takimet me ndonjë ambasadore të SHBA po ashtu, të thuhet që jemi në paradoks tingëllon shumë butë. Pra, diçka nuk shkon seriozisht.

Ndaj na duhet të investigojmë arsyet e mundshme të kësaj lajthitjeje në objekt të marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe Perëndimit. Dekorimet e Ramës në Durrës që i ngjajnë një sfide të hapur ndaj investimit më të madh të SHBA-BE që është SPAK dhe GJKKO, ishin vetëm shembulli i fundit i një trimërimi spektakolar të Kryeministrit. Ashtu siç marrja në mbrojtje dhe shfajësimi i Karçanajt përbën një qëndrim skandaloz dhe kurajoz njëkohësisht. E për këto arsye duhet kërkuar nga e merr këtë kurajo Rama. Varianti i parë është ai i përdorimit të Berishës si “gogoli” i përhershëm. Me shumë gjasa, edhe pa e thënë dhe vetëm nënkuptuar, kjo hipokrizi e tejzgjatur e pranuar prej perëndimorëve lidhet me kërcënimin e Ramës, se “po ika unë, ja kë keni alternativën”. Dhe natyrisht që prej vitit 2021 ky shantazh ka funksionuar. Jo vetëm se Berisha është shpallur non-grata nga SHBA dhe BE, por sepse lista e atyre që nuk e pranojnë më Berishën zgjatet deri edhe në Ankara e pse jo dhe në Tel-Aviv. Për këtë arsye askush nuk dëshiron të hedhë nga duart një “granatë” e të marrë në dorë një “bombë”, me qëllimin që të shpëtojë pa “u vrarë”. Por edhe nëse do ishte kështu, fakti që Rama dhe Berisha janë ekspozuar aq shumë në partneritetin e tyre sa të fshehtë e po aq të hapur, e bën kërcënimin Berisha të pavlerë, pasi të gjithë e dinë se “sa herë paguan për Ramën, blen Berishën” e anasjelltas! Ndaj vështirë se ky argument është i vlefshëm për ndërkombëtarët.

Opsioni i dytë që qarkullon jo pak nëpër korridoret e politikës shqiptare, ka të bëjë me aftësinë e madhe lobuese të Ramës, për të mos i vënë emër tjetër. Qartësisht qokat e rënda në rastet e kampit të emigrantëve në Shëngjin, pjesëmarrja në Bordin e Paqes në Gaza, shpallja organizatë terroriste e Gardës Revolucionare të Iranit dhe dy projektet e impiantit të gazit lundrues dhe investimeve të Sazanit dhe Zvërnecit, janë indicie të qarta se në rastin e lobimeve të forta, “ku ka zë nuk është pa gjë”. Por nga ana tjetër, shfaqen edhe disa projekte në fushat e infrastrukturës kritike si Porto-Romano, evazioni gjigant i Bankers, Smart City, çështja e AKSHI-t, dosja e AZHBR-së dhe Aeroporti i Vlorës, që kanë shkaktuar shqetësim të madh për cënim të interesave strategjike të vetë Shqipërisë e perëndimorëve në vendin tonë. E meqenëse siguria kombëtare e vendit tonë është e lidhur pazgjidhshmërisht me atë të NATO-s e BE, nuk ka sesi të mos vërehet një mospërputhje e madhe mes këtyre episodeve pozitive dhe negative njëkohësisht, në marrëdhëniet trekëndore Shqipëri-SHBA-BE!

Por çudirat nuk mbarojnë këtu. Për ata që kanë memorie afatshkurtër, thagmat e Ramës me talljen publike ndaj Presidentit Trump në Paris, këshillat e pavëna ndaj qasjes së Evropës lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë apo më keq akoma flirtet-kërcënime të çuditshme në mes të Tiranës me Kinën (“jemi pika e mjaltit për Kinën”, e thënë në sy të të Dërguarës me Punë të SHBA), na çojnë edhe në një skenar të tretë të trimërimit të Ramës dhe hezitimit të perëndimorëve. Mbase Rama përdor kartën e kërcënimit të shkëputjes nga Perëndimi drejt Lindjes, nëse cënohet pushteti i tij prej ndërkombëtarëve. E natyrisht që duke i pasur shpatullat e ngrohta prej pafuqisë apo dhe bashkëpunimit të Berishës, nuk përjashtohet që edhe ky opsion të jetë i vërtetë. Aq më tepër që këtë “sport” shantazh-shpërblim po e luan për mbijetesën e vet me sukses edhe bashkëudhëtari i tij Aleksandër Vuçiç, që në njërën anë organizon stërvitje të përbashkëta me Kinën e kërcënon rajonin nga Kosova në Bosnje, e në anën tjetër kërkon të përshpejtojë integrimin e Serbisë në BE!

Megjithatë nuk është e thënë që njëri nga këto variante të jetë i vërteti. Mbase qëndrojnë apo përdoren edhe të treja njëkohësisht. Ajo që ulërin është “trimëria” e Ramës për të bërë lojëra prestigji me rrezikshmëri të lartë, pa i hyrë gjemb në këmbë. A do të zgjasë shumë kjo lojë? Këtë nuk e di askush. Por që ky trimërim është më së paku absurd e më së shumti tejet perfid, përbën një fakt të pakundërshtueshëm. Deri atëherë evropianët dhe amerikanët, pasi shqiptarët as nuk diskutohet se po, bëjnë mirë të duartrokasin edhe dekorimin në grup të të dënuarve apo ndaluarve të burgut të Peqinit dhe Durrësit, për akuzat për korrupsion dhe përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar. Sepse të nesërmen diku në Tiranë apo në kancelari perëndimore, Rama do kapë edhe ndonjë medalje mirënjohjeje për shërbime të vyera ndërkombëtare!