Ballina Politika Erion Veliaj shkarkon nga burgu Anuela Ristanin: Delegimi u kthye në pengesë...

Erion Veliaj shkarkon nga burgu Anuela Ristanin: Delegimi u kthye në pengesë për ushtrimin e mandatit

47
0

Erion Veliaj ka revokuar delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës te Anuela Ristani, duke argumentuar se kushtet institucionale mbi të cilat ishte dhënë ky delegim kanë ndryshuar pas vendimmarrjes më të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Në arsyetimin e vendimit, Veliaj thekson se urdhri i datës 14 shkurt 2025 për delegimin e përkohshëm të detyrave ishte nxjerrë si një instrument organizativ, me qëllim garantimin e funksionimit të administratës dhe shërbimeve të Bashkisë së Tiranës në rrethanat e krijuara në atë kohë.

Por sipas tij, mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës ka vijuar juridikisht dhe është njohur si i tillë në dy vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese. Veliaj argumenton se vendimmarrja më e fundit e kësaj gjykate ka eliminuar çdo paqartësi mbi vijimësinë dhe mbrojtjen kushtetuese të mandatit të tij, si dhe mbi autoritetin që buron prej tij.

Në vendim thuhet se ushtrimi i kompetencave të deleguara duhet të zhvillohet në përputhje dhe në koordinim të plotë me autoritetin e kryetarit të zgjedhur. Sipas Veliajt, delegimi, për shkak të natyrës së tij të përkohshme, mund të vijojë vetëm për aq kohë sa i shërben qëllimit për të cilin është dhënë dhe nuk mund të shndërrohet në burim autonom kompetence.

Veliaj pretendon se pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti i tij kushtetues dhe ligjor. Ai përmend mungesën e informimit dhe koordinimit institucional, moszbatimin e vendimeve gjyqësore, moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit, si dhe veprime e mosveprime që, sipas tij, kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë.

Në arsyetim thuhet se kjo situatë ka kulmuar me refuzimin e autoritetit të kryetarit të zgjedhur për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta dhe ligji ia njohin drejtpërdrejt. Për Veliajn, delegimi që fillimisht kishte për qëllim vijimësinë administrative, është kthyer në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të tij.

Vendimi argumentohet me nevojën për garantimin e ligjshmërisë, vijimësisë, stabilitetit dhe funksionimit normal të Bashkisë së Tiranës, si dhe për ofrimin e pandërprerë të shërbimeve publike për qytetarët.