Ballina Aktualitet Detyrat që gjykata i ngarkoi SPAK-ut për hetimin e gjyqtares Irena Gjoka,...

Detyrat që gjykata i ngarkoi SPAK-ut për hetimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas kthimit të dosjes nga GJKKO

94
0

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi më 19 maj të kthejë për hetime të mëtejshme çështjen penale në ngarkim të gjyqtares Irena Gjoka, e cila e ushtron funksionin po në këtë gjykatë, duke i lënë SPAK-ut detyra që çmohen të nevojshme në drejtim të konstatimit të kohës faktike të kryerjes së vetëdeklarimeve për figurën, si dhe për të konkluduar mbi dijeninë ose jo lidhur me dënimin penal të dhënë nga drejtësia greke ndaj kësaj magjistrateje.

Procedimi penal lidhur me mosdeklarimin nga gjyqtarja Gjoka në formularin e pastërtisë së figurës të një dënimi penal për përdorim të dokumenteve false në kufi, të dhënë ndaj saj nga autoritetet gjyqësore greke, u regjistrua mbi bazën e kallëzimit të paraqitur në maj të vitit të kaluar nga kryetari i Partisë Demokratike, PD, Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, si dhe nga avokatja Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në PD.

Megjithëse SPAK vërtetoi dënimin penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, më 23 mars iu drejtua gjykatës për pushimin e procedimit penal, me argumentin se nuk është provuar që magjistratja ka qenë në dijeni të dënimit kur ka kryer deklarimin për figurën – ndërkohë që e konsideroi veprën penale të parashkruar.

Gjyqtarja Marinela Osmani konstaton se nga SPAK nuk janë kryer veprime hetimore që kanë qenë të diktuara nga ecuria e hetimeve të kryera dhe e fakteve të konstatuara. Sipas gjyqtares, në kushtet kur kallëzuesit gjatë gjykimit parashtruan rrethana dhe paraqitën prova që lidhen me objektin e kallëzimit, pyetja e tyre është një veprim hetimor i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të shteruar dijeninë që kanë mbi rrethanat e pretenduara.

Ndërkohë, gjykata vëren se gjyqtarja Irena Gjoka është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, por procesverbali nuk rezulton të jetë nënshkruar prej hetuesit. Për rrjedhojë, është urdhëruar që të përsëritet marrja e deklarimeve të gjyqtares Irena Gjoka.

Detyra e dytë që i është lënë prokurorit të çështjes, Bledar Maksuti, është që të administrojë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, vetëdeklarimet e gjyqtares Irena Gjoka për figurën, të kryera në kuadër të procesit të vetingut, si dhe për emërimin e saj pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, ku ndër të tjera kërkohet edhe vetëdeklarimi i figurës. Sipas gjykatës, prokurori i ka kërkuar KLGJ-së informacion për vetëdeklarimet e Gjokës për figurën, bazuar në ligjin e vitit 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe jo në funksion të legjislacionit tjetër. KLGJ ka informuar se, veç një vetëdeklarimi të prillit 2016, nuk ka tjetër.

Një tjetër mangësi e konstatuar në hetimin e SPAK është edhe mosadministrimi pranë KLGJ-së i kopjeve të të gjitha akteve të procedurave të ndjekura për caktimin në mënyrë të përhershme të gjyqtares Irena Gjoka pranë Gjykatës së Posaçme, pas konfirmimit të saj në detyrë me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në qershor të vitit 2022.

Po ashtu, kërkohet që prokuroria të administrojë një kopje të procedurës dhe hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtaren Irena Gjoka në cilësinë e subjektit të rivlerësimit kalimtar, si dhe një kopje të raportit të hetimit disiplinor të urdhëruar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi të merrte një vendim ndaj saj bazuar në verifikimet e bëra prej Prokurorisë së Përgjithshme.

Në vijim, gjykata arsyeton lidhur me nevojën për prova të tjera që duhet t’i kërkohen drejtësisë greke. SPAK ka argumentuar në kërkesën për pushim se, sipas vendimit gjyqësor të Gjykatës së Janinës, vërtetohet se Gjoka nuk ka qenë në dijeni të procesit penal dhe të vendimmarrjes, e për rrjedhojë nuk mund të pretendohet se ka paraqitur të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit për figurën.

Gjykata vëren se SPAK, për të arritur në këtë përfundim, është mbështetur vetëm në të dhënat e vendimit gjyqësor të vitit 2005 dhe në deklarimet e vetë gjyqtares Irena Gjoka, e cila ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni për procesin dhe vendimin penal ndaj saj. Sipas gjykatës, hetimi i SPAK nuk duhej të mbetej i kufizuar vetëm në të dhënat e vendimit të Gjykatës së Janinës, por duhej të bazohej edhe në aktet e tjera të dosjes gjyqësore. Gjykata vlerëson me rëndësi të veçantë jo vetëm njoftimin e Gjokës gjatë gjykimit në vitin 2005, por edhe njoftimet e saj për vendimin përfundimtar të gjykatës.

Po ashtu, konstatohet se, megjithëse vetë e kallëzuara Gjoka ka kërkuar nga prokurori administrimin e procesverbalit të sekuestrimit të pasaportës në vitet 2002 dhe 2004, nga ana e SPAK nuk është kryer asnjë veprim në këtë drejtim, me argumentin se në atë moment ishte dërguar letërporosia me qëllim administrimin e vendimit gjyqësor të vitit 2005 të Gjykatës së Janinës.

Nisur nga fakti se kallëzuesit kanë këmbëngulur në pretendimin e tyre se Gjoka ka pasur dijeni për dënimin penal ndaj saj, gjykata çmon se prokurori duhet të kërkojë nga autoritetet e drejtësisë greke një kopje të plotë të të gjitha akteve procedurale gjyqësore dhe hetimore. Me rëndësi të veçantë, gjykata vlerëson aktet e njoftimit të gjyqtares Gjoka për gjykimin që po zhvillohej, si dhe aktet procedurale për njoftimin e vendimmarrjes nga Gjykata e Janinës. Kërkohet që të administrohen edhe aktet hetimore që kanë të bëjnë me raportin e mbajtur për sekuestrimin e pasaportës së Gjokës dhe raportin e ekspertimit të kryer nga autoritetet greke.

Me rëndësi konsiderohen prej gjykatës të gjitha aktet e dosjes lidhur me çështjen gjyqësore administrative të zhvilluar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Janinë në vitin 2006, me kërkuese gjyqtaren Irena Gjoka, e cila ka kërkuar anulimin e aktit të vitit 2003 që i ndalonte hyrjen në territorin grek. Sipas gjykatës, rëndësi të veçantë kanë kërkesa e paraqitur nga gjyqtarja Gjoka, prokura e përfaqësimit në këtë proces gjyqësor e lëshuar nga kjo e fundit dhe provat që janë bashkëlidhur. Gjykata sugjeron që në kërkesën drejtuar autoriteteve greke të nënvizohet se marrja e këtij dokumentacioni është e rëndësishme për hetimin që po kryhet lidhur me mosdeklarimin nga Gjoka të dënimit penal ndaj saj.

Në vijim kërkohet të administrohet prokura e posaçme e lëshuar nga Gjoka dhe bashkëshorti pranë një noteri në Shqipëri, lidhur me përfaqësimin e tyre në çështjen administrative për heqjen e masës së ndalimit.

SPAK urdhërohet po ashtu që të kërkojë nga autoritetet greke kopje të akteve për masat administrative për ndalimin e hyrjes së Gjokës në shtetin grek në dhjetor të vitit 2002 dhe shkurt të vitit 2003, si dhe informacion zyrtar në lidhje me procedurën e ndjekur për vendosjen dhe ekzekutimin e tyre.

Gjykata vlerëson se vetëm pas kryerjes së këtyre veprimeve hetimore, si dhe të çdo veprimi tjetër që do të çmohet i nevojshëm nga prokuroria, mund të përcaktohet nëse provat e administruara janë të mjaftueshme për vijimin e mëtejshëm të hetimit apo për marrjen e një vendimi për përfundimin e tij./ Reporter.al