Ballina Aktualitet Protestat në Zvërnec/ Softa: Policët e maskuar duhet të jenë të identifikueshëm

Protestat në Zvërnec/ Softa: Policët e maskuar duhet të jenë të identifikueshëm

79
0

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka rikthyer në vëmendje debatin mbi veprimet e policisë gjatë protestave dhe përdorimin e efektivëve të maskuar përballë qytetarëve në Zvërnec.

Sipas Softës, rregullat janë të qarta dhe punonjësit e policisë duhet të jenë të identifikueshëm gjatë ushtrimit të detyrës, përveç rasteve të veçanta që lidhen me operacione ndaj personave me rrezikshmëri të lartë.

“Nuk kanë pse të jenë të maskuar, duhet të jenë të identifikueshëm në momentin që kryejnë detyrën. Maskimi mund të justifikohet vetëm në raste të veçanta, kur kemi të bëjmë me persona me precedentë apo me shkallë të lartë rrezikshmërie.”-tha Softa.

Eksperti i sigurisë ngre pikëpyetje edhe për përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke kujtuar se ndërhyrja e policisë duhet të jetë gjithmonë në raport me rrezikun konkret të situatës. Sipas tij, duhet të vlerësohen rrethanat, sjellja e personave të përfshirë dhe niveli i kërcënimit që ata paraqesin.

Softa shprehet se nëse konstatohet tejkalim kompetencash apo abuzim me detyrën, përgjegjësia duhet të nisë fillimisht nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit përmes procedurave disiplinore dhe hetimeve

“Nëse kemi shpërdorim detyre apo tejkalim kompetencash nga punonjës të policisë, duhet të ketë masa disiplinore dhe hetim. Më pas mund të ketë ndërhyrje edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për çdo veprim që bie ndesh me ligjin.”-shtoi eksperti.

Ndërkohë, mungesa e një reagimi zyrtar nga institucionet përgjegjëse po ushqen kërkesat për më shumë transparencë. Sipas ekspertit të sigurisë, çdo vonesë në sqarimin e ngjarjes rrit paqartësitë dhe forcon kërkesën e qytetarëve për llogaridhënie mbi veprimet e efektivëve të përfshirë.