Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, një reagim i papritur erdhi nga ana e juristit Jordan Daci. Ky i fundit gjeti emrin e tij në fletën e votimit si kandidat, por përmes një deklarate publike u shpreh se nuk ishte në dijeni për këtë. Madje ka bërë një sqarim në rrjetet sociale për qëndrimin e tij.
“Në lidhje me një informacion të bërë publik së fundmi, sipas të cilit emri im rezulton i propozuar si kandidat për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin të sqaroj me korrektësi dhe qetësi se nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, nuk kam paraqitur asnjë kërkesë, pëlqim apo shprehje vullneti për të kandiduar në strukturat e saj, dhe nuk kam pasur dijeni paraprake për një propozim të tillë.-është shprehur avokati.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar Ivi Kaso, i cili sot mban postin e kryetarit të komisionit drejtues të Kuvendit. Ai sqaron se bëhet fjalë për një tjetër person me të njëjtin emër dhe jo për avokatin e njohur.
“Dua të sqaroj diçka në lidhje me kandidimin e avokatit Jordan Daci në listën e Këshillit kombëtar. Nuk bëhet fjalë për avokatin, por për një tjetër person, anëtar dhe kontribuues në PD, që ka të njëjtin emër dhe të njëjtin mbiemër”, u shpreh Ivi Kaso gjatë punimeve të Kuvendit.







