Ballina Politika ‘Çdo 5 min 1 shqiptar ikën’/ Pano: Stop ideologjisë gjinore në shkolla,...

‘Çdo 5 min 1 shqiptar ikën’/ Pano: Stop ideologjisë gjinore në shkolla, të rikthehemi tek familja, besimi dhe kombi

74
0

Anëtari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Xhonatan Pano, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Ripërtëritjes, bëri thirrje për një rikthim të Partisë Demokratike tek identiteti i saj konservator dhe tek vlerat që, sipas tij, kanë mbajtur të fortë shoqërinë shqiptare ndër vite.

Ai theksoi se vendi ka nevojë për një opozitë të ripërtërirë, të bazuar tek liria, familja, prona, merita, besimi dhe kombi.

Në fjalimin e tij, Pano ngriti shqetësimin për shpopullimin e vendit, largimin masiv të të rinjve dhe krizën e besimit tek institucionet.

Xhonatan PanoTë nderuar demokratë, të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar, miq, bashkëluftëtarë në këtë betejë, i nderuar profesor Berisha. Jam i bindur që sot nuk jemi mbledhur vetëm për një proces të brendshëm partie. Nuk jemi mbledhur vetëm për emra, struktura apo për procedura. Sot jemi për të folur për drejtimin që duhet të marrë Partia Demokratike. Dhe më shumë se kaq, drejtimin që duhet të marrë edhe Shqipëria. Shqipëria sot nuk ka nevojë vetëm për një opozitë më të zhurmshme, ka nevojë për një opozitë të ripërtërirë, më të vendosur, më të rrënjosur tek vlerat. Ne nuk mund të jemi thjesht kundër një qeverie, por ne duhet të jemi pro një vizioni. Duhet të jemi pro familjes, pro lirisë, pro pronës, pro meritës, pro besimit, pro kombit, po më e rëndësishmja, pro Shqipërisë. Unë besoj se Partia Demokratike duhet të kthehet me guxim tek identiteti i saj natyral, tek vlerat konservatore që e kanë mbajtur këtë vend në këmbë edhe në kohët e saj më të vështira. Tek besimi tek Zoti, tek familja dhe tek kombi. Këto nuk janë slogane të vjetra, por janë themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e shëndetshme. Sepse kur humbet besimi, humbet morali publik. Kur sulmohet familja, dobësohet shoqëria. Kur dobësohet kombi, largohet rinia. Dhe kur largohet rinia, Shqipëria nuk humbet vetëm popullsi, por humbet të ardhmen e saj. Shpesh flasim për shpopullim. Shpopullimi nuk është vetëm një statistikë që del nga INSTAT apo Eurostat në letër. Vetëm në 2024, mbi 100 mijë shqiptarë janë larguar dhe i kanë thënë lamtumirë nënës Shqipëri. Kjo do të thotë se çdo 5 minuta, një person është larguar. Shpopullimi është karrigia bosh në tavolinën e çdo familjeje. Është lagjja ku nuk dëgjohen më fëmijë duke luajtur. Është shkolla e cila po mbyllet. Është prindi që po plaket vetëm. Është i riu që nuk ikën sepse nuk e do Shqipërinë, por sepse nuk sheh më mundësi këtu. Dhe këtu nis beteja jonë. Ne duhet t’i themi shqiptarëve qartë: Partia Demokratike nuk do të ndryshojë vetëm qeverinë që e ka vjedhur dhe e ka varfëruar këtë vend. Do t’i themi stop ideologjisë gjinore nëpër shkolla. Do t’i themi stop terapive hormonale transgjinore që po shtyhen nga agjentë ëoke. Do t’i themi stop vjedhjes së shqiptarëve. Do t’i themi stop shpopullimit. Partia Demokratike duhet të rikthejë shpresën që jeta të mund të ndërtohet këtu. Që një i ri të mund të punojë këtu. Që një familje të mund të rrisë fëmijët e saj këtu. Që një sipërmarrës të mund të hapë biznes dhe të mos bezdiset nga taksidarët për t’i vënë gjoba. Që një student të mund të ëndërrojë pa menduar biletën e avionit si planin e vetëm të suksesit. Në Këshillin Bashkiak të Tiranës, unë e kam parë nga afër se si ndodhin keqqeverisjet. Ajo ndihet tek taksat që rriten.

Ajo ndihet tek inceneratori që nuk ekziston. Ndihet tek familjet që paguajnë më shumë për të marrë më pak. Ndihet tek vendimmarrja që bëhet larg njerëzve, pa transparencë dhe pa përgjegjësi. Prandaj besoj fort se politika duhet të fillojë nga njeriu, duhet të fillojë nga familja, nga qytetari i zakonshëm, nga të ndershmit që paguajnë detyrimet e tyre dhe nuk kërkojnë privilegje, por kërkojnë drejtësi. Por për ta bërë këtë, ne duhet të kemi kurajo brenda vetes sonë. Partia Demokratike duhet të jetë shtëpia e njerëzve të lirë, e njerëzve që besojnë tek prona, që besojnë tek tregu i lirë, tek shteti i kufizuar, tek familja e fortë, tek arsimi cilësor, tek meritokracia dhe tek dinjiteti kombëtar. Ne fitojmë kur jemi vetvetja. Dhe kur flasim qartë, kur kemi parime, kur mbrojmë atë që besojmë edhe kur është e vështirë, edhe kur na sulmojnë, edhe kur na etiketojnë. Unë nuk besoj në një politikë që ka frikë nga vlerat. Besoj në një politikë që i thotë gjërat me emër. Familja është institucioni i parë i shoqërisë. Prindi duhet inkurajuar. Fëmija duhet mbrojtur. Jeta duhet vlerësuar. Liria duhet garantuar. Dhe kombi duhet dashur. Dhe kjo nuk do të thotë që ne duhet të përjashtojmë dikë, përkundrazi, do të thotë që të ndërtojmë një shoqëri ku njeriu ka rrënjë, ku familja ka mbështetje, ku i riu ka arsye të qëndrojë dhe politika nuk tallet me qytetarin, por i shërben atij. Të nderuar demokratë, unë besoj që ne jemi përpara një beteje të madhe. Ne kemi përpara një betejë të madhe dhe kjo betejë nuk fitohet me zemërim. Fitohet me organizim. Fitohet me ide. Fitohet me karakter. Fitohet me njerëz që nuk hyjnë në politikë për t’u pasuruar, por hyjnë për të shërbyer. Dhe ne duhet të hyjmë në këtë betejë në forume, në këshilla bashkiakë, në komunitete, në universitete, në media, në familje, në çdo hapësirë ku formohet mendimi dhe ndërtohet e ardhmja. Kemi nevojë të ndërtojmë një sistem kapilar të demokratëve të rinj në çdo gjimnaz, në çdo universitet, në çdo klub sportiv, në çdo vend ku një i ri do të shërbejë dhe do të jetë pjesë e një lëvizjeje madhështore. Ne duhet të jemi forca që i thotë shqiptarëve që ne nuk ju premtojmë parajsën me fjalë boshe, por ju premtojmë një shtet më të ndershëm, një ekonomi më të lirë, një familje më të mbrojtur, një Shqipëri më dinjitoze. Dhe sot jemi për të folur për drejtimin që duhet të marrë Partia Demokratike dhe më shumë se kaq, për drejtimin që duhet të marrë gjithashtu Shqipëria. Misioni ynë nuk ka mbaruar, ai sapo ripërtërihet. Të kthehemi tek rrënjët tona, të kthehemi tek vlerat tona, të kthehemi tek njerëzit, të kthehemi tek Shqipëria reale. Tek ajo Shqipëri që punon, që beson, që sakrifikon, që nuk dorëzohet, që e do familjen, e do Zotin dhe e do kombin. Dhe nëse ne kemi guximin ta bëjmë këtë kthim, atëherë Partia Demokratike nuk do të jetë vetëm alternativa e radhës, do të jetë shpresa e domosdoshme për këtë vend. Zoti e bekoftë Partinë Demokratike, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.