E ftuar në nje studio televizive, analistja dhe anëtarja e Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, komentoi mesazhet e dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së dhe drejtimin që pritet të marrë partia në muajt e ardhshëm.
Sipas saj, Kuvendi i fundit kishte në qendër ripërtëritjen e Partisë Demokratike pas një periudhe të gjatë përballjesh politike dhe ligjore për vulën, logon dhe selinë e partisë. Kuçana vlerësoi rolin e demokratëve që, sipas saj, qëndruan pranë partisë gjatë viteve të fundit.
“Partisë Demokratike iu desh të bëjë betejën nëpër gjykata, pa logo, pa vulë, pa seli. Imagjinojeni pak se çfarë peripetish kaluan demokratët. Sot dua t’i falënderoj të gjithë demokratët që kanë qëndruar pranë partisë në këtë rrugëtim.”-tha ajo.
Kuçana u ndal edhe te mesazhi i Sali Berishës për rikthimin e partisë në bazë. Sipas saj, fokusi i ri do të jetë puna në seksione dhe grupseksione, me një angazhim më të madh të drejtuesve dhe përfaqësuesve politikë pranë qytetarëve.
Ajo tha se ka ardhur koha që politika të largohet nga zyrat dhe të jetë më pranë njerëzve, duke dëgjuar shqetësimet e tyre në terren.
Sot në Kuvendin Kombëtar, zoti Berisha tha se do të kthehemi tek seksioni dhe tek grupseksioni. Një politikan duhet ta lidhë jetën e tij politike me qytetarin. Ka ikur koha e politikanëve që rrinë nëpër zyra. Duhet të jemi në terren, pranë njerëzve, pranë demokratëve dhe edhe pranë socialistëve të zhgënjyer.”-u shpreh ajo.
Sipas Kuçanës, strategjia e re e Partisë Demokratike synon komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, pa dallime politike. Ajo tha se për ringritjen e partisë duhet kontakt me çdo anëtar dhe çdo qytetar, duke trokitur në derën e secilit për të dëgjuar problemet dhe pritshmëritë e tyre.







