Ballina Aktualitet Përplasje mes dajës dhe nipit në perandorinë e tenderave: Grupi FINMAN, miliona...

Përplasje mes dajës dhe nipit në perandorinë e tenderave: Grupi FINMAN, miliona euro nga buxheti i shtetit. Beteja për kontrollin e kompanive

72
0

Ortakët e kompanisë “FINMAN”, Idajet Ismailaj dhe nipi i tij, Sokol Agalliu, janë përfshirë në një përplasje të fortë që ka dalë tashmë jashtë dyerve të biznesit familjar dhe ka përfunduar në kallëzime reciproke. Në qendër të konfliktit duket se janë interesat pasurore dhe kontrolli mbi një grup kompanish që shtrijnë aktivitetin në disa prej sektorëve më fitimprurës në vend.

Sokol Agalliu, i cili zotëron 14.5 për qind të aksioneve të kompanisë përmes nënës së tij, akuzon dajën, Idajet Ismailaj, dhe djalin e këtij të fundit se e kanë dhunuar gjatë një mbledhjeje të asamblesë. Nga ana tjetër, edhe pala kundërshtare ka depozituar kallëzim ndaj Agalliut, duke e kthyer konfliktin në një betejë të hapur mes dy degëve të së njëjtës familje.

Në qendër të kësaj historie në dukje si sherr banal familjar ndodhet “FINMAN”, kompania mëmë që kontrollon 11 kompani, mes tyre “Arena Center”, “AOS”, “ASAB”, “Manastiri Resort”, “Albstar” dhe të tjera.

Një vështrim i thjeshtë në të dhënat e Open Procurement dhe Open Data Albania tregon se vetëm “Albstar”, qoftë e vetme apo në bashkëpunim me kompani të tjera, ka siguruar ndër vite kontrata publike me vlera prej miliarda lekësh. Në listën e institucioneve që kanë kontraktuar kompaninë gjenden Autoriteti Rrugor Shqiptar, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, OST, OSSH, Bashkia e Tiranës, si dhe bashkitë e Vlorës dhe Fierit, mes shumë të tjerave.,- shkruan VNA

Por pesha e grupit nuk kufizohet vetëm te tenderat publikë. Emri i “FINMAN” lidhet gjithashtu me projektin e shumëdebatuar në Gjirin e Manastirit, brenda zonës së mbrojtur të Butrintit, një investim që prej kohësh ka ngjallur debate publike dhe kundërshti nga ambientalistët.

Kështu, ndërsa në sipërfaqe kemi një konflikt familjar mes dajës dhe nipit, në sfond qëndron kontrolli mbi një perandori biznesi që prek sektorë strategjikë, nga infrastruktura te turizmi dhe projektet me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare.

Mjafton të shihet lista e kontratave publike të fituara nga “Albstar” për të kuptuar peshën ekonomike të grupit. Mes tyre janë zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë (Faza VI) me rreth 2.34 miliardë lekë, ndërtimi i segmentit Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë me afro 1.99 miliardë lekë, ndërtimi i rrugës Kardhiq–Delvinë me rreth 1.78 miliardë lekë, rehabilitimi i rrugës Fushë Arrëz–Reps me rreth 770 milionë lekë dhe rehabilitimi i Lumit Gjanica në Fier me rreth 676 milionë lekë.

Në listë figurojnë gjithashtu parkimi nëntokësor te Sheshi Italia në Tiranë, ndërtimi i godinës 2 në zonën zhvillimore të Kombinatit, projekte energjetike për KESH, OST dhe OSSH, rikualifikime urbane në Vlorë e Fier, si dhe dhjetëra kontrata të tjera të financuara nga buxheti i shtetit.

Për këtë arsye, përplasja mes dajës dhe nipit nuk është thjesht një histori familjare. Ajo zhvillohet në majën e një grupi kompanish që kanë përfituar ndër vite miliona euro fonde publike dhe që mbajnë në duar projekte të rëndësishme infrastrukturore, energjetike dhe turistike në Shqipëri.

Disa nga kontratat kryesore të fituara nga ALB-STAR:

* Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (Faza VI) – 2.347 miliardë lekë.
* Ndërtimi i segmentit Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë – Urat mbi lumin Tiranë – 1.988 miliardë lekë.
* Ndërtimi i rrugës Kardhiq – Delvinë, Loti 5 – 1.785 miliardë lekë.
* Shtesë kontrate për rrugën Kardhiq – Delvinë, Loti 5 – 332 milionë lekë.
* Rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës Fushë Arrëz – Reps – 770 milionë lekë.
* Rehabilitimi i Lumit Gjanica dhe rikonceptimi i qendrës së Fierit – 676 milionë lekë.
* Hartimi dhe ndërtimi i godinës 2 në zonën zhvillimore “Kombinat” – 415 milionë lekë.
* Parkimi nëntokësor te Sheshi Italia – 336 milionë lekë.
* Blerja e autotransformatorit 300 MVA për OST – 284 milionë lekë.
* Punime mbrojtëse në HEC Koman për KESH – 230 milionë lekë.
* Ndërtimi i Fiderit F8 20 kV në Lushnjë për OSSH – 174 milionë lekë.
* Rikonstruksion urban pranë qendrës së qytetit Vlorë – 149 milionë lekë.
* Ndërtimi i tregut publik të produkteve bujqësore dhe blegtorale në Fier – 45 milionë lekë.
* Punime civile në zonën e minierës së Valiasit – 29 milionë lekë.