Ndër shekuj, koka e Gjon Pagëzorit ka qenë ndër reliket më të kërkuara në krishterim. Predikuesi dhe profeti hebre, i nderuar si një nga shenjtorët më të hershëm të krishterë, besohet se i hapi rrugën kushëririt të tij të largët, Jezusit, të cilin Gjoni e pagëzoi në lumin Jordan.
Sipas të katër ungjijve kanonikë të Dhiatës së re, si dhe rrëfimit të historianit hebre Jozefus, Gjon Pagëzori u vra me urdhër të një sundimtari lokal pak para kryqëzimit të Jezusit. Ungjijtë pretendojnë se mbreti urdhëroi prerjen e kokës së tij dhe vendosjen e saj në një tabaka. Por askush nuk jep ndonjë të dhënë se ku përfundoi koka e Gjon Pagëzorit apo pjesa tjetër e trupit të tij.
“Kjo është diçka e zakonshme me legjendat biblike,” thotë Robert Cargill, profesor i asociuar i klasikëve dhe studimeve fetare në Universitetin e Iowa-s dhe redaktor i Biblical Archaeology Review. “Sa herë që nuk thuhet qartë se çfarë ndodhi me trupin e dikujt, krijohen lloj-lloj traditash për vendin ku mund të ketë përfunduar.”
Çfarë dimë për jetën e Gjon Pagëzorit
Historia e Gjon Pagëzorit vjen nga Dhiata e re, veçanërisht ungjijtë (Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni), si dhe nga vepra “Antikitetet hebraike” e Flavius Josephus. Pasi jetoi një jetë asketike në shkretëtirë, Gjoni doli në luginën e poshtme të Jordanit duke predikuar ardhjen e afërt të gjykimit të Zotit dhe duke u kërkuar ndjekësve të pendoheshin për mëkatet dhe të pagëzoheshin në përgatitje për ardhjen e Mesisë.
Mesazhi përgatitor i Gjonit tërhoqi qindra, ndoshta mijëra ndjekës nga Jerusalemi dhe Judea. Ai e bëri të qartë se vetë nuk ishte Mesia dhe paralajmëroi ardhjen e Jezusit: ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet.”
(Mateu 3:11).
Shumë studiues fetarë bien dakord se pagëzimi i mëvonshëm i Jezusit nga Gjoni në lumin Jordan, i përshkruar në tre nga ungjijtë (Mateu, Marku dhe Luka) dhe në burime të tjera kanonike e jokanonike, është pothuajse me siguri një ngjarje historike. Vendndodhja arkeologjike Al-Maghtas në Jordani (e identifikuar si “Bethania përtej Jordanit” biblik) konsiderohet si vendi i pagëzimit që nga periudha e vonë romake dhe bizantine. Shumica e degëve të krishterimit e shohin pagëzimin e Jezusit si një moment madhor dhe bazën e ritit të pagëzimit që ka mbijetuar ndër shekuj.
Si vdiq Gjon Pagëzori?
Sipas Jozefusit, pak kohë pas pagëzimit të Jezusit, Gjon Pagëzori u vra në fortesën e Machaerus-it, pranë Detit të Vdekur në Jordaninë e sotme. Pallati, i ndërtuar nga mbreti Herod i Madh, në atë kohë kontrollohej nga djali dhe pasardhësi i tij, HerodAntipa.
Ungjijtë e Mateut (Mateu 14:1–12) dhe Markut (Marku 6:14–29) tregojnë se Herod Antipa urdhëroi arrestimin dhe burgosjen e Gjonit pasi predikuesi dënoi martesën e mbretit me Herodianën si të paligjshme, sepse ajo kishte qenë më parë gruaja e vëllait të tij, Filipit. Fillimisht, Herod Antipa nuk donte ta vriste Gjonin për shkak të reputacionit të tij si njeri i shenjtë. Por pasi vajza e gruas së tij kërceu në festën e ditëlindjes së mbretit, ai i premtoi se do t’i jepte çfarëdo që ajo dëshironte. E nxitur nga nëna e saj, e cila e urrente Gjonin për kritikat ndaj martesës së saj, vajza e Herodianës kërkoi kokën e Gjon Pagëzorit në një tabaka.
Në “Antikitetet hebraike” (Libri 18:116-19), Jozefusi konfirmon se HerodAntipa e “vrau” Gjon Pagëzorin pasi e burgosi në Machaerus, sepse kishte frikë se ndikimi i tij mund të nxiste një rebelim. Jozefusi gjithashtu e identifikon vajzën e Herodianës si Salome (ungjijtë nuk e përmendin emrin e saj), por nuk thotë se Gjonit iu pre koka me kërkesën e saj.
Ku mund të jenë koka dhe pjesë të tjera të trupit
Jozefusi nuk përmendi se ku u varros Gjon Pagëzori, as Bibla, megjithëse Ungjilli i Mateut thotë se dishepujt e tij “erdhën, morën trupin dhe e varrosën, pastaj shkuan dhe e njoftuan Jezusin” (Mateu 14:12). Që nga shekulli i katërt (tre shekuj pas këtyre ngjarjeve), vendi i varrimit të Gjonit besohej tradicionalisht të ishte në Sebastia (Samaria e dikurshme), sot në Palestinë.
Por çfarë ndodhi me kokën e Gjon Pagëzorit është një pyetje që ka intriguar kërkuesit e relikeve për shekuj. “Ka mijëra tradita të ndryshme se ku u varros, ku u varros koka e tij dhe gjëra të tilla,” thotë Cargill.
Sipas traditave të ndryshme, të paktën katër vende pretendojnë se posedojnë kokën e shenjtorit të vrarë. Në Damask të Sirisë, Xhamia Omejade u ndërtua në shekullin VIII mbi vendin e një kishe të krishterë kushtuar Gjon Pagëzorit; thuhet se koka e tij ndodhet në një faltore aty. Një kafkë e identifikuar si koka e Gjon Pagëzorit ekspozohet në Kishën San Silvestros in Capite në Romë, e ndërtuar për të ruajtur artefakte nga katakombet romake. Katedralja e Amiens-it në Francë, e ndërtuar në shekullin XIII, u ngrit posaçërisht për të ruajtur kokën e Gjon Pagëzorit, të cilën një kryqtar thuhet se e solli nga Kostandinopoja në vitin 1206. Ndërsa në Mynih të Gjermanisë, Muzeu Residenz përfshin kafkën e Gjonit mes një numri relikesh të mbledhura nga duka Vilhelm V i Bavarisë me lejen e Papës në mesin e shekullit XVI.
Përveç kësaj, muze dhe manastire në Stamboll, Egjipt dhe Mal të Zi, mes vendeve të tjera, pretendojnë se zotërojnë pjesë të tjera të trupit të Gjon Pagëzorit, përfshirë krahun dhe dorën e djathtë (me të cilën ai pagëzoi Jezusin).
Ku qëndron sot legjenda
Në vitin 2010, arkeologët bullgarë njoftuan se kishin gjetur një relikare me disa eshtra në rrënojat e një manastiri mesjetar në SvetiIvan (“Shën Gjon” në bullgarisht), një ishull në Detin e Zi pranë bregut jugor të Bullgarisë. Duke qenë se një manastir i mëvonshëm në ishull i kushtohej Gjon Pagëzorit, studiuesit sugjeruan se këto mund të ishin mbetjet e shenjtorit, duke treguar një kuti të vogël guri ranor të gjetur pranë relikares, me një mbishkrim në greqisht: “Zot, shpëto shërbëtorin tënd Tomas. Për Shën Gjonin. 24 qershor.”
Datimi me radiokarbon dhe testet gjenetike zbuluan më vonë se eshtrat e gjetura në SvetiIvan i përkisnin një burri që kishte jetuar në Lindjen e Mesme gjatë shekullit të parë pas Krishtit, gjë që e bën të mundshme që ato të jenë të Gjon Pagëzorit, megjithëse nuk ka asnjë mënyrë për ta provuar.
Në fund, pretendimet konkurruese për kokën e Gjon Pagëzorit (dhe pjesë të tjera të trupit të tij) mund të tregojnë më pak për historinë dhe më shumë për fuqinë e vazhdueshme të relikeve që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e Jezusit. Ashtu si Qefini i Torinos apo Graali i Shenjtë, koka e Gjon Pagëzorit ka marrë një status mitik e pothuajse mbinjerëzor gjatë shekujve, për shkak të rëndësisë së profetit në historinë e Krishtit.
“Gjithmonë ka ekzistuar besimi se nëse mund të prekësh një objekt të lidhur me Jezusin, të paktën mund të forcosh besimin tënd,” shpjegon Cargill. “Dhe në rastin më të mirë, ai mund të kryejë një mrekulli.”







