Ballina Kuriozitete Katastrofa klimatike që fshihet pas ‘Odisesë’

Katastrofa klimatike që fshihet pas ‘Odisesë’

66
0

Një studim i ri zbulon se rënia e qytetërimit në “Epokën e Bronzit” erdhi si pasojë e mungesës së ujit. A po na shtyjnë thatësirat e sotme drejt një kolapsi të ngjashëm?

Filmi më i fundit i Christopher Nolan ka tërhequr dhjetëra miliona shikues në një botë detesh të stuhishme dhe qytetesh në flakë. Pa përbindëshat, ajo botë bazohet në realitet. Odisea, një histori mbijetese pas Luftës së Trojës, zhvillohet gjatë rënies së qytetërimit në Epokën e Bronzit.

Një studim i ri e lidh këtë kolaps me një ndryshim të rëndë klimatik. Dhe autorët paralajmërojnë për “ndikime në të ardhmen”. Shkencëtarët dinë prej kohësh për një thatësirë ​​misterioze dhe të rëndë që ndodhi më shumë se 3,000 vjet më parë, duke përkuar me shpërbërjen e mbretërive dhe shteteve në të gjithë Mesdheun.

Një hulumtim i publikuar muajin e kaluar hedh dritë mbi shkakun e mundshëm të asaj thatësire. Një tendencë tharjeje e ngadaltë dhe një cikël natyror më i shpejtë i motit të thatë, të mbivendosura njëra mbi tjetrën. Deri në fund të Epokës së Bronzit, sistemi i musoneve të Afrikës Perëndimore ishte tkurrur për mijëra vjet, duke e shndërruar Saharanë e gjelbër, në shkretëtirë. Më pak shi mbi Afrikë do të thoshte më pak shi mbi Mesdhe. Ky fenomen u amplifikua kur rajoni përjetoi një periudhë thatësire të shkaktuar nga ciklet natyrore të klimës nga Atlantiku, të cilat e bëjnë rajonin të luhatet midis periudhave të lagështa dhe të thata, që zgjasin me dekada.

Katherine Power, shkencëtare e universitetit të Stokholmit e cila udhëhoqi studimin, thotë se mjedisi në atë kohë mund të shpjegonte migrimin masiv dhe konfliktet e epokës së Odisesë.

Për dekada të tëra, studiuesit kanë spekuluar mbi arsyen e lëvizjes në shkallë të gjerë gjatë kësaj kohe, e cila njihet edhe si periudha e të ashtuquajturve “Popujt e Detit”.

Arkeologët argumentojnë se ndryshimet klimatike mund të ndihmojnë në shpjegimin e migrimit dhe kolapsit politik në fund të Epokës së Bronzit. Zbulimet e reja po ndihmojnë në zgjidhjen e enigmës.

“Nuk e dimë domosdoshmërisht pse u zhvendosën njerëzit asokohe” – thotë Power. “Por nëse themi, ‘Klima po përkeqësohej gjithnjë e më shumë dhe e bënte të vështirë mbijetesën, kjo mund të jetë një arsye e mundshme.”

“Një stuhi e përsosur fatkeqësish”

Sipas studiueses, zhvillimet e atëhershme janë të rëndësishme edhe sot. Lumenjtë kryesorë të Europës janë në nivele të ulëta rekord dhe thatësira po krijon kushte për zjarre shkatërruese, si dhe po shkakton humbje historike të të korrave. Kjo përfshin edhe korrjen më të ulët të misrit në Francë në 50 vjet.

Të njëjtat cikle të lagështirës dhe thatësirës nga Atlantiku janë ende në lojë, por tani ato po ndodhin në kontekstin e një bote që po ngrohet si rezultat i djegies së naftës, gazit dhe qymyrit nga njerëzit.

“Mendoj se është edhe më alarmante dhe përbën edhe më shumë kërcënim” – thotë Power.

Por, a është ajo që ndodhi atëherë, një pasqyrë e asaj që mund të ndodhë në ditët e sotme?

Eric H. Cline, arkeolog në Universitetin George Washington, i cili shkroi një libër mbi burimin e krizës së Epokës së Bronzit, thotë se thatësira dhe sëmundjet ishin pjesë e “stuhisë së përsosur të fatkeqësive” që çuan në rënien e shoqërisë.

Ai tërheq paralele me ditët e sotme. Përmes një emaili për DW, ai tha se “duhet të jemi shumë të shqetësuar” për ndryshimet klimatike si një faktor domethënës për rënien e qytetërimit. “Kjo frikë nuk është aspak e ekzagjeruar”.

A pati një moment kyҫ për shembjen?

Hulumtimi i Power u përqendrua tek kërkimet e modeleve që mund të fshihen pas ngjarjeve të izoluara të thatësirës së Epokës së Bronzit.

Ata filluan duke shqyrtuar sporet e bimëve, bërthamat e akullit, gurët e shpellave dhe të dhëna të tjera natyrore që lidheshin me thatësirën. Më pas, ajo dhe bashkëautorja, shkencëtarja e paleoklimës në Stokholm, Qiong Zhang, iu drejtuan modelimit, për të përftuar një pamje më të gjerë.

Modeli i tyre shqyrtoi të gjithë planetin, të mbivendosur në një rrjetë, ku secila qelizë mbulonte një sipërfaqe prej afërsisht 125 kilometrash. Një super-kompjuter më pas llogariti kushtet në secilën prej këtyre qelizave, për çdo muaj, gjatë mijëra viteve. Kjo i lejoi shkencëtarët të studionin të gjithë Mesdheun.