Mindy Kaling tërhoqi gjithë vëmendjen në premierën e serialit të saj të ri “Not Suitable For Work” në New York, ku u shfaq me një fustan të artë me xixa që solli ndër mend paraqitjen ikonike të Kim Kardashian në Met Gala 2018.
Aktorja dhe producentja 46-vjeçare dukej më në formë se kurrë, pas humbjes së mbi 24 kilogramëve në peshë, shkruan DailyMail.
Pamja e saj elegante u komentua menjëherë nga fansat, të cilët prej kohësh spekulojnë nëse ajo ka përdorur medikamente për dobësim si Ozempic, megjithëse Kaling nuk e ka konfirmuar kurrë një gjë të tillë.
Në intervistat e fundit, ylli i “The Office” ka treguar se motivi kryesor për transformimin e saj ishte shëndeti dhe dëshira për të shmangur diabetin, sëmundje që ka prekur familjen e saj.
Ajo ka zbuluar se kombinon stërvitjet me pesha, ecjen dhe vrapin për të ruajtur formën fizike.
Seriali i ri “Not Suitable For Work”, i krijuar nga vetë Kaling, ndjek jetën e pesë të rinjve ambiciozë në Manhattan që përpiqen të balancojnë karrierën dhe jetën personale.







