Ballina Opinion Rama, përçarësi dhe armiqësuesi i Shqipërisë

Rama, përçarësi dhe armiqësuesi i Shqipërisë

62
0

Rasti i Zvërnecit, si dhe shumë raste të tjera të ngjashme, që e kanë detyruar Edi Ramën të dalë të mbajë fjalime të gjata publike “sqaruese” e “justifikuese”, sidomos kur përfshihen interesa investimesh të huaja dhe ku nuk kuptohet qartë ku është vija ndarëse ndërmjet investimit të huaj dhe korrupsionit të pushtetarëve vendas, apo nëse investitori i huaj është vërtet i tillë dhe jo ndonjë pushtetar me gëzof të huaji, nxori përsëri në pah taktikat përçarëse dhe armiqësuese që përdor Rama për të mbizotëruar e sunduar.

Zvërneci projekton praktikisht tipare të shumë skandaleve të tjera që kanë ngërthyer këtë vend, si shpërthimi i Gërdecit, rrahja si “padashje” e opozitës në Sheshin “Skënderbej” në maj 1996 para kamerave, gazetarëve e vëzhguesve që kishin zbarkuar për zgjedhjet në Shqipëri, projekti për demontimin e armëve kimike në Shqipëri, skandali i mbetjeve toksike të Kurum, përplasja në aeroportin e Vlorës, kampi i refugjatëve në Gjadër etj.

Të gjitha këto raste kanë një tipar të përbashkët: korrupsionin dhe papërgjegjësinë e qeverisë shqiptare në menaxhimin e projekteve dhe situatave për të mirën publike dhe të ardhmen e qëndrueshme të vendit. Nxitimi për t’i kapitalizuar si fitime elektorale, prezencë ndërkombëtare dhe, kuptohet, më së shumti monetare/pasurore, i shndërron pushtetarët shqiptarë dhe sidomos krerët e qeverive në gënjeshtarë të paskrupullt dhe arrogantë. Ndërsa kur plas skandali, shndërrohen në strucë të frikësuar që përpiqen me propagandë boshe dhe duke u fshehur pas emrit të të huajve të mbrojnë veten. Kështu bëri Berisha kur plasi Gërdeci, që menjëherë hodhi në qarkullim emrin “Amerikë”. Kështu ndodhi me Ramën kur u duk se u “zbyth” nga protesta popullore dhe menjëherë hodhi në qarkullim dhimbjen se po vepronim kështu me Amerikën.

Natyrshëm, shqiptarët e keqtrajtuar irritohen, protestojnë dhe, të plagosur edhe në ndjenjën kombëtare, shprehin ndjesi negative ndaj investimeve të huaja apo shteteve nga vijnë. Por ajo që vërehet është se fryrja dhe jehona që u jepet disa ndjesive negative nuk janë proporcionale me ndërhyrjet e mbrapshta dhe në dëm të ekonomisë shqiptare që bëjnë interesa të caktuara, përgjithësisht të fqinjëve që Shqipërinë e duan terren të varfër, të rrëmujshëm dhe, në fund, shesh për përsheshët e tyre.

Pavarësisht propagandës, projekti i Gjadrit dhe marrëdhënia në dukje “gjunjëpërthyer” ndaj Melonit ka nxitur pakënaqësi për politikën e shtetit italian në Shqipëri, që për hir të së vërtetës shqiptarët nuk e kanë pasur as ndaj Italisë fashiste. Ndërkohë, opinioni i Italisë me të drejtë vë në diskutim kostot e operacioneve ushtarake dhe as që e ndjen “nderin” me vënien në dispozicion të territorit shqiptar.

“Miqësia e afrueshme” me Erdoganin është një tjetër thikë në terrenin e raportit fuqidhënës dhe mbështetës që ka me dekada Turqia ndaj Shqipërisë e veçanërisht Kosovës.

Afrimi këtë herë me familjarët e presidentit të SHBA-së dhe përdorimi i figurës së tyre për shfaqje ekranesh, si dhe situatat e papastra të krijuara me figura si Grenell, McGonigal apo ish-ambasadorja Yuri Kim, i kanë dhënë hapësirë edhe shprehjes së ndjesive jo proamerikane, diçka e paimagjinueshme për këtë vend vite më parë dhe tërësisht e dëmshme.

Retorika servile e Ramës ndaj Izraelit në kulmin e një konflikti të gjakshëm në Lindjen e Mesme dhe imponimi me propagandë arrogante i qëndrimeve ekstreme dhe jo të ekuilibruara, siç po mbajnë shtete të tjera të mëdha e të vogla në funksion të raporteve afatgjata, i ka dhënë hapësirë një frike të natyrshme se diçka jo e mirë mund t’i ndodhë këtij vendi prej atij populli që në Luftën e Dytë Botërore e mbrojtëm dhe u përkujdesëm.

Së fundi, por jo nga radha kronologjike, projektet e shtetit bektashi, mirëkuptimi me historinë e shkëmbimit të territoreve të veriut të Kosovës me Serbinë apo konflikti i hapur me qeveritë e Kosovës për vendimet e tyre absolutisht në të mirë të vendit të tyre, fillimisht me qeverinë e Haradinajt (kundër taksës së reciprocitetit), konflikti konstant me qeveritë e Kurtit e deri në joshjen më të fundit të ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që e mbylli karrierën me një dekret jokushtetues të shpërndarjes së Kuvendit, janë projekte të pastra përçarëse ndërmjet shqiptarësh.

Enver Hoxha, në funksion të izolimit dhe sundimit të këtij vendi, krijoi armiqësinë paranojake ndaj botës së zhvilluar. Në këto vite, Edi Rama, po në funksion të sundimit të vet, nuk i ka drejtuar qeveritë e tij thjesht drejt projekteve korruptive, monopolizuese, të krijimit të grupeve klienteliste dhe përzënies së popullsisë e nënshtrimit të çdo njeriu të pavarur e të lirë. Ai, ashtu si Enveri, për të ruajtur autokratizmin e vet ka mbjellë përçarjen ndër shqiptarë dhe po thellon hendekun e rrezikshëm të krijimit të ndjenjës negative, deri edhe urrejtjes, për shtete që Shqipëria nuk ka dobi të mos i ketë aleatë të afërt e mirëkuptues.

Rasti i Zvërnecit është më i komplikuar sesa paraqitet dhe ka shumë të panjohura, të cilat do të duhet që organet e drejtësisë t’i hetojnë e zbardhin me themel. Por nuk është e panjohur që e keqja për shqiptarët vjen nga korrupsioni dhe papërgjegjësia e qeverisë së tyre. Zgjidhja është t’i kundërvihemi arrogancës përçarëse e armiqësuese të Edi Ramës./vna