Ballina Politika Rama nga Berati: “Pseudo-myslimanë po përhapin legjendën se Zvërneci është shitur te...

Rama nga Berati: “Pseudo-myslimanë po përhapin legjendën se Zvërneci është shitur te Izraeli”

70
0

Kryeministri Edi Rama reagoi nga Berati për protestat kundër projektit në Zvërnec, duke akuzuar kundërshtarët e investimit se po përhapin dezinformim dhe gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale.

“Jemi përballur me manipulime nga disa pseudo-myslimanë që përhapin legjendën skandaloze se Zvërneci është shitur te Izraeli dhe se aty do të vijnë palestinezët. Madje publikojnë video ku kërkojnë emrin dhe mbiemrin e rojës që kreu atë akt skandaloz dhe thonë se duan ta vrasin. Vendosin edhe euro në faqet e tyre për të nxitur urrejtjen. Çfarë myslimanësh janë ata?”, deklaroi Rama.

Kryeministri sulmoi edhe atë që e cilësoi si aleancë mes kundërshtarëve të projektit dhe mediave greke. “Si mund të jenë ata në aleancë me median greke? Na është shqetësuar media greke nga mëngjesi në darkë për mjedisin në Shqipëri, ndërkohë që askush nuk tregon projektin, i cili po hartohet nga studiot më prestigjioze në botë. Edhe studimi mjedisor po bëhet nga studiot më prestigjioze. Pa këto nuk ka leje ndërtimi”, tha ai.

Duke iu referuar incidentit ku një protestues u dhunua nga një roje private, Rama e quajti ngjarjen “skandaloze”, por mbrojti reagimin e institucioneve. Sipas tij, shteti ka vepruar duke arrestuar personin përgjegjës, duke nisur procedimet penale ndaj rojeve të përfshira dhe duke hequr licencën e kompanisë private të sigurisë.

“Ky është manipulim. Sa herë që jemi përpjekur të bëjmë diçka përtej së zakonshmes, jemi përballur me kundërshti”, u shpreh Rama.