Irena Beqiraj
Ti vetëm ik! Ik sot, po munde, se mund të mbrohemi nga të huajt më lehtë sesa ç’mund të mbrohemi nga budallallëku funksional që e ke përhapur në çdo qelizë.
Ti vetëm ik të shpëtojmë nga pushtimi i injorancës së Zeqinësë edhe Sarës, të cilat i ke ngritur në argument.
Ti vetëm ik, të shpëtojmë nga shkretëtirizimi i vendit, i cili, pavarësisht se është i bekuar nga natyra e bukur, klima edhe burimet natyrore, u mallkua nga shpura jote përtace, shfrytëzuese e pa vizion.
Por ti nuk ikën dot, të ka mbytur etja për pushtetin. Je sëmurur rëndë nga ky ves i poshtër. Dhe, si çdo i varur, me kalimin e kohës, zhytesh gjithnjë e më thellë. Je i nervozuar, i pështjelluar, je bërë i pasigurt dhe jotolerant.
Flet gjëra kot, të cilat askush nuk t’i beson, as ti vetë.
Ti vetëm ik që ky vend të shpëtojë nga kapja më e egër e shtetit që pas diktaturës, por ti nuk je në gjendje ta ofrosh këtë!! Etja për pushtet është e tmerrshme. Krijon varësi më shumë se kokaina. Etja për pushtet, kjo sëmundje malinje, të ka gërryer edhe grimcën e fundit të njerëzillëkut.
Mos na mbro nga të huajt, na shpëto nga pushtimi yt. Por ti nuk ikën dot, se i je nënshtruar i tëri nevojës për pushtet. I shërben vetëm pushtetit, betohesh për të. Ti je gati të shesësh jo vetëm të gjallët, edhe interesat e tyre, por edhe kockat e të vdekurve dhe kujtimin e tyre për pushtetin tënd.
Ti vetëm ik! Por ti e ke të pamundur të ndahesh, siç i ka hije një burri shtetasi, nga pushteti, sepse ti nuk ke më askënd për të të ndihmuar, këshilluar apo ngushëlluar. Ti je i frikësuar edhe vetëm. Ata që kishe më afër gjithë këto vite të lanë vetëm, të lëshuan teposhtë rrymës së zullumit për të mos u mbytur bashkë me ty. Të tjerët janë duke ta thurur rrjetën.
Ti nuk na mbron dot nga askush, sepse nuk je në gjendje të mbrosh askënd, ndaj ti vetëm ik. Por, fatkeqësisht për ty, ti nuk ikën dot më…
Fati yt është i përcaktuar.







