Ballina Aktualitet Detaje/ SPAK sekuestron 200 milionë dollarët e investitorëve nga Katari për projektin...

Detaje/ SPAK sekuestron 200 milionë dollarët e investitorëve nga Katari për projektin e Zvërnecit

80
0

Pas njoftimit nga mediat që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro mbi llogari bankare të lidhura me projektin turistik të Zvërnecit, ku investitorë janë edhe vëllezërit miliarderë Khayyat nga Katari, bashkëpunëtorë të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, janë mësuar detaje të tjera lidhur me këtë hap të bërë nga SPAK, ku adresimi për bllokimin ju la prokurorit Altin Dumani.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shumën e saktë të bllokuar, por zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi investitorët nga Katari transferuan rreth 195 milionë dollarë në Bankën Kombëtare Tregtare, fonde që do të përdoreshin për blerjen e pronave dhe nisjen e punimeve për resortin e planifikuar në Zvërnec.

Ka zëra se hetimi i SPAK lidhet me një skemë të dyshuar tjetërsimi pronash në zonën e Zvërnecit. Në qendër të hetimeve ndodhet Artur Shehu, një personazh me banim në Shtetet e Bashkuara, i përfshirë prej vitesh në debatet mbi pronësinë në këtë zonë dhe prej disa vitesh në hetim nga SPAK.

Një ditë më parë, me urdhër të SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit ushtroi kontrolle ndaj personave të konsideruar të afërt me Shehun, si dhe ndaj biznesmenit Redi Struga. Burime bëjnë me dije se çështja e Zvërnecit ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme prej më shumë se një viti.

Ende nuk është e qartë nëse bllokimi i llogarive lidhet drejtpërdrejt me fondet e investitorëve nga Katari apo përbën një masë parandaluese për të ndaluar transaksione të mëtejshme mbi pronat që janë objekt hetimi.

Zhvillimet e fundit i japin një dimension të ri konfliktit rreth projektit të Zvërnecit, i cili gjatë ditëve të fundit është shoqëruar me protesta masive kundërshtuese. Ndërkohë, pavarësisht kontrolleve, sekuestrimeve dhe interesit të lartë publik, SPAK nuk ka dhënë ende asnjë version zyrtar për hetimin, edhe pse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga aksionet e para të ndërmarra në terren.