Ballina Bota Ariu terrorizon qytetin në Japoni, plagos katër persona dhe zhduket brenda një...

Ariu terrorizon qytetin në Japoni, plagos katër persona dhe zhduket brenda një fabrike

40
0

Një operacion i gjerë kërkimi është vënë në lëvizje në prefekturën e Fukushima-s, pasi një ari i egër plagosi katër persona dhe besohet se është fshehur brenda një kompleksi industrial. Pamjet e kamerave të sigurisë nga një fabrikë çeliku tregojnë momentin dramatik kur kafsha sulmon një punonjës në të 20-at. I riu përpiqet të largohet me vrap, por ariu e rrëzon përtokë gjatë ndjekjes.

Sipas autoriteteve, ariu kishte hyrë fillimisht në ambientet e fabrikës pasi theu një derë xhami, duke plagosur edhe një punonjës tjetër rreth të 60-ave. Më pas, kafsha u drejtua drejt një zone të banuar, ku sulmoi një grua 80-vjeçare. Më vonë, ariu përshkoi rreth 500 metra dhe hyri në një tjetër fabrikë në veriperëndim të uzinës së parë, ku sulmoi një burrë tjetër 60-vjeçar. Tre burrat pësuan lëndime të lehta, ndërsa gruaja e moshuar u plagos në mënyrë më serioze. Megjithatë, sipas shërbimeve të emergjencës, asnjë nga të plagosurit nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Deri të martën pasdite, kafsha nuk ishte kapur ende. Autoritetet dyshojnë se ajo vazhdon të fshihet brenda kompleksit të fabrikës së dytë, ndërsa policia dhe ekipet e specializuara mbeten në gatishmëri të lartë.

Për shkak të rrezikut, disa shkolla në zonë u detyruan të mbyllnin aktivitetin, ndërsa banorëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet e panevojshme. Rastet e sulmeve nga arinjtë janë shtuar ndjeshëm në Japoni vitet e fundit. Gjatë vitit të kaluar, 13 persona humbën jetën nga sulmet e këtyre kafshëve, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit fiskal që përfundoi në mars, numri i raportimeve për shfaqjen e arinjve në mbarë Japoninë kaloi 50 mijë raste, më shumë se dyfishi i rekordit të mëparshëm. Kafshët janë parë shpesh pranë zonave të banuara, shkollave, supermarketeve dhe qendrave turistike.

Përballë kësaj situate, autoritetet japoneze kanë miratuar një plan të ri për menaxhimin e popullatës së arinjve, që përfshin edhe eliminimin e kontrolluar të tyre në zona me rrezik të lartë. Ndërkohë, Ministria japoneze e Mjedisit këshillon qytetarët që në rast përballjeje me një ari të mos vrapojnë dhe të mos bëjnë lëvizje të papritura. Në rast sulmi, rekomandohet që personi të shtrihet me fytyrë nga toka, të mbulojë qafën dhe të mbrojë pjesët jetike të trupit për të shmangur plagët fatale.