Futbollisti danez Christian Eriksen ka shkaktuar momente ankthi gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, pasi u rrëzua në fushë në minutën e 64-të të takimit të zhvilluar në Odense.
Mesfushori 34-vjeçar, i cili mban një pajisje kardiake pas arrestit kardiak që pësoi gjatë Kampionatit Evropian në vitin 2021, humbi përkohësisht vetëdijen, duke detyruar stafin mjekësor të ndërhyjë menjëherë. Futbollistët e të dyja skuadrave krijuan një rreth për të mbrojtur privatësinë e lojtarit, ndërsa gjyqtari vendosi ta ndërpresë ndeshjen me rezultatin 2:1 në favor të Danimarkës.
Federata Daneze e Futbollit njoftoi se Eriksen është i vetëdijshëm dhe “po ndihet mirë në rrethanat aktuale”. Më pas ai u dërgua në spital për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa sipas mjekut të kombëtares daneze, pajisja kardiake reagoi siç duhej në momentin e incidentit.
“Christian ishte për pak çaste pa vetëdije, por e rifitoi shumë shpejt. Tani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera për të përcaktuar shkakun e incidentit. Ai është mirë dhe më kërkoi t’u përcjell lojtarëve përshëndetjet e tij dhe t’u them se është në rregull”, deklaroi mjeku i ekipit, Morten Boesen.
Kapiteni i Danimarkës, Pierre-Emile Hojbjerg, tha se reagimi i të gjithëve ishte i menjëhershëm dhe i respektueshëm, ndërsa trajneri Brian Riemer e përshkroi ngjarjen si “një përvojë jashtëzakonisht tronditëse” për lojtarët dhe stafin.
Eriksen kishte pësuar arrest kardiak gjatë ndeshjes së Danimarkës kundër Finlandës në Euro 2020, turne që u zhvillua në vitin 2021. Pas rikuperimit, ai iu rikthye futbollit profesionist, duke luajtur për Brentford, Manchester United dhe aktualisht për Wolfsburg.







