Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar zyrtarisht sot një kërkesë drejtuar Kryetarit të Kuvendit për një interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari. Kjo kërkesë vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën në krye të detyrës efekti i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, si dhe mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.
Në dokumentin e protokolluar pranë Kuvendit, opozita thekson se kjo ngjarje tragjike nuk mund të mbyllet me komunikata formale. Sipas PD-së, operacioni për kapjen e shtetasit Violand Braçellari ngre pikëpyetje të mëdha mbi planifikimin operacional, pajisjet mbrojtëse të efektivëve dhe dështimin institucional.
6 Çështjet Kryesore ku kërkohen Shpjegime nga Ministri Lamallari:
Deputetët firmëtarë, në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës, kërkojnë që ministri të japë llogari përpara deputetëve mbi këto pika eksplicite:
Zinxhiri i komandimit: Kush e hartoi, miratoi dhe urdhëroi operacionin? A kishte dijeni paraprake Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit?
Mungesa e forcave speciale: Pse nuk u angazhuan strukturat e specializuara si RENEA apo FNSH për arrestimin e një personi me rrezikshmëri të lartë?
Pajisjet mbrojtëse: A ishte i pajisur dëshmori Enea Mekolli me jelek antiplumb funksional dhe të certifikuar për përballje me armë zjarri?
Dyshimet për dekonspirim: Po hetohet nëse operacioni u dekonspirua, duke i dhënë mundësi autorit të priste i përgatitur forcat e policisë?
Përgjegjësia administrative dhe politike: A ka nisur një hetim disiplinor për këtë operacion të keqorganizuar me pasoja tragjike dhe cilat do të jenë masat ndaj drejtuesve?
“Kuvendi ka detyrimin të kërkojë të vërtetën e plotë mbi mënyrën se si u planifikua, u drejtua dhe u ekzekutua operacioni që i mori jetën një punonjësi policie. Kjo ngjarje ngre çështje thelbësore mbi vlerësimin e rrezikshmërisë dhe mbrojtjen e efektivëve,” thuhet ndër të tjera në kërkesën e opozitës.
Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, Grupi i PD-së ka kërkuar që kjo interpelancë urgjente me Ministrin Lamallari të përfshihet si pikë e parë e Rendit të Ditës në seancën më të parë plenare të javës në vijim. Kërkesa mban firmën e deputetëve të grupit parlamentar, përfshirë edhe Kryetarin e Grupit, Gazment Bardhi.







