Në tremujorin e parë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 90.119 lekë, raportoi INSTAT.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto është rritur me 9,6%. Rritja u ndikua dhe nga paga minimale, e cila nga 1 janari u bë 50 mijë lekë nga 40 mijë që ishte më parë.
Sipas INSTAT, Aktivitetet ekonomike me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare janë:
– Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit, me pagë mesatare 157.434 lekë;
– Informacioni dhe Komunikacioni, me pagë mesatare 131.747 lekë.
Rritja më e lartë e pagës mesatare është shënuar në aktivitetin “Ndërtim”, prej 22,2%, ndërsa rritja më e ulët është shënuar në aktivitetin “Arte, argëtim dhe çlodhje, si dhe aktivitete të tjera shërbimi”, prej 5,5%.
Profesionet me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare ishin:
– Menaxherë, Ligjvënës, Drejtorë ekzekutivë, me pagë mesatare 136.213 lekë;
– Specialistë me arsim të lartë (profesionistë), me pagë mesatare 116.074 lekë.
Rritja më e madhe e pagës mesatare është shënuar në profesionet “Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to” prej 15,7%, të ndjekura nga “Punëtorët (Profesione elementare)”prej 15,3%.
Gjatë tremujorit të parë 2026 vihet re:
– Shpërndarja e të punësuarve paraqitet më e përqendruar në skajet e intervaleve së pagave, me rritje si të punonjësve me pagë minimale ashtu edhe të atyre me paga të larta.
– Rritje e ndjeshme e numrit të punonjësve me pagë minimale, për arsye të rritjes së pagës minimale nga 40.000 lekë në 50.000 lekë më 1 Janar 2026 me vendim të Këshillit te Ministrave./Monitor







