Spanja shkon në Botërorin 2026 me shumë optimizëm, duke u renditur mes favoriteve kryesore për titullin botëror. “La Roja” rikthen stilin e saj të lojës së kombinuar dhe kolektive, që i solli sukses historik në vitin 2010 dhe triumfin në Euro 2024.
E drejtuar nga trajneri Luis de la Fuente, skuadra është ndër kandidatet kryesore për titullin botëror, jo vetëm për cilësinë e lojtarëve të saj të talentuar, por edhe sepse ka rizbuluar një identitet të qartë në lojën e saj. Është një ekip që ndihet sërish rehat me topin në këmbë, që kërkon kombinime të shpejta dhe lojë kolektive, duke rikujtuar Spanjën që magjepsi botën dhe arriti kulmin e suksesit në Afrikën e Jugut në vitin 2010.
Për më shumë, disa detaje kurioze po ushqejnë optimizmin e tifozëve më supersticiozë. Kampionati Botëror 2010 filloi më 11 qershor me ndeshjen hapëse mes vendit organizator dhe Meksikës. Po ashtu, edhe Botërori 2026 fillon më 11 qershor dhe sërish ndeshja hapëse përfshin Meksikën dhe Afrikën e Jugut, këtë herë me Meksikën si vend organizator.
Ngjashmëritë nuk mbarojnë këtu. Në vitin 2010, Spanja shkoi në Botëror si numri dy në renditjen e FIFA-s, pas Brazilit. Sot, 16 vjet më vonë, situata është pothuajse e njëjtë: “La Roja” është sërish e dyta në botë, këtë herë vetëm një pikë pas Francës.
Edhe rrugëtimi i saj para turneut ngjan me të kaluarën. Në vitin 2010, Spanja mbërriti si kampione e Europës pas Euro 2008. Ndërsa këtë herë, ajo vjen si kampione e Europës pas Euro 2024. Edhe shorti i turneut ka shtuar këto rastësi: në Afrikën e Jugut 2010, Spanja ishte në Grupin H, dhe në vitin 2026 do të jetë sërish në Grupin H, ku do të përballet me Kepin e Gjelbër, Arabinë Saudite dhe Uruguain.
Finalja e madhe do të luhet më 19 korrik në “MetLife Stadium” në New Jersey, dhe mbetet për t’u parë nëse të gjitha këto “shenja” janë thjesht rastësi apo një paralajmërim për një tjetër kurorë botërore për Spanjën.







