Ballina Politika Klevis Elezi: Dy përgjigje për dy pyetje të vështira – Përgjigje Arben...

Klevis Elezi: Dy përgjigje për dy pyetje të vështira – Përgjigje Arben Malajt për artikullin e tij

103
0

Nga Klevis Elezi*

Po dëgjojmë shpesh dy pyetje që u drejtohen protestuesve të rinj: “Çfarë doni?” dhe “Kush do të vijë pas këtyre?”

Janë pyetje legjitime. Por edhe përgjigjet janë të thjeshta.

Së pari, protestuesit nuk kanë detyrimin të paraqesin një qeveri të re përpara se të denoncojnë një qeverisje që e konsiderojnë të dështuar. Në çdo demokraci, qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë korrupsionin, mungesën e transparencës, arrogancën e pushtetit apo një klasë politike që sipas tyre nuk i përfaqëson më. Vetë fakti që shumë prej tyre kërkojnë largimin si të qeverisë ashtu edhe të opozitës tradicionale tregon se kemi të bëjmë me një fenomen më të gjerë sesa një përplasje partiake.

Së dyti, pyetja “kush vjen pas?” nuk mund të përdoret si argument për të mos ndryshuar asgjë. Historia politike e çdo vendi ka treguar se alternativa lind pikërisht kur shoqëria krijon hapësirë për të. Nëse çdo brez do të pranonte status quo-në nga frika e së panjohurës, demokracitë nuk do të përparonin kurrë.

Në fakt, pyetja më e vështirë nuk është “kush vjen pas?”, por “a mund të vazhdohet pafundësisht me të njëjtët?”. Kjo është dilema që shumë të rinj po shtrojnë sot në rrugët e Shqipërisë. Sipas raportimeve, një pjesë e konsiderueshme e protestuesve shprehen të zhgënjyer jo vetëm nga qeveria, por nga e gjithë klasa politike e tre dekadave të fundit.

Demokracia nuk funksionon duke u thënë qytetarëve të heshtin derisa të gjejnë liderin perfekt. Demokracia funksionon duke i lejuar ata të flasin, të protestojnë dhe të kërkojnë ndryshim. Pastaj janë institucionet, zgjedhjet dhe vota që përcaktojnë se kush do ta përfaqësojë atë ndryshim.

Prandaj, dy pyetjet e vështira meritojnë edhe një pyetje të tretë: nëse ka kaq shumë pakënaqësi në shoqëri, a është problemi te protestuesit apo te politika që nuk po arrin më t’i bindë ata?

*Antar i Kryesisë, Partia MUNDËSIA