“Parashikoj ekuilibër dhe cilësi”. Carlo Ancelotti, në një intervistë për “SportWeek”, dha mendimin e tij për Botërorin që sapo ka nisur. Trajneri i Brazilit e sheh turneun kështu:
“Do të jetë i bukur.
Nuk ka një favorit të qartë, por ka shumë kandidatë për titull, gjë që e bën më të vështirë. Janë të paktën 6-7 skuadra që mund ta fitojnë dhe asnjëra nuk është realisht më e fortë se të tjerat.
Nuk ekziston një skuadër perfekte; të gjitha kanë kufizimet e tyre.
Do të triumfojë ajo kombëtare që do të arrijë t’i kufizojë ose t’i fshehë më mirë kufizimet në cilësi”.
Për mungesën e Italisë në Botëror u shpreh shkurt: “Një kompeticion i tillë pa Italinë është i trishtë”.
Pas eliminimit të Italisë nga Bosnja në “play-off”, janë përmendur shumë emra për stolin e kombëtares axurre.
Ndër hipotezat është përfolur edhe vetë Ancelotti, por kjo duket e pamundur pas rinovimit të kontratës së tij me Brazilin deri në vitin 2030.
Lidhur me mundësinë e emërimit të Pep Guardiolës si trajner i Italisë, ai tha: “Shumë mirë, do të ishte një goditje e madhe, pa diskutim. Ndërkohë, i uroj shumë fat Silvio Baldinit, që është një mik i madh imi. Kemi qenë bashkë në kursin e Covercianos”.







